Mehaj: Bashkëpunimi me Kroacinë, interes i përbashkët rajonal dhe më gjerë

Prishtinë | 05 Dhj 2022 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Të hënën ministri Mehaj ka pritur në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se bashkëpunimi i ngushtë me Kroacinë në fushën e mbrojtjes është në interes të përbashkët rajonal dhe më gjerë.

“Me këtë rast, ambasadorja Barisic më ritheksoi se Kroacia si një vend mik i Kosovës, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat dhe komponentët e tyre në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre”, ka shkruar Mehaj.

Tutje Mehaj ka theksuar se ambasadores Barisic i ka shprehur mirënjohjen e thellë për Republikën e Kroacisë, për përkrahjen e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Mes tjerash Mehaj ka potencuar se ka vlerësuar mbështetjen e Kroacisë  në fushën e arsimimit dhe stërvitjeve të ofruar në vazhdimësi, si dhe për përvojën e forcave kroate në fushën e misioneve paqeruajtëse, industrinë e mbrojtjes dhe fushave tjera specifike.

Mehaj ka shtuar se në takimin me ambasadoren Barisic janë pajtuar që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në funksion të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes për ofrimin e kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.

Të ngjashme