Mehaj: Kemi arsye të fuqishme të ndjehemi krenar me të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së

Prishtinë | 14 Dhj 2021 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se ka arsye të fuqishme që të jetë krenarë me të gjitha të arriturat e deritanishme të FSK-së, teksa shtoi se ende ka shumë punë për të bërë.

Këtë deklaratë Mehaj e bëri përmes një postimi në “Facebook”, në trevjetorin e formimit të Ushtrisë.

“Sot, në trevjetorin e miratimit të pakos ligjore themelore që legjitimoi mandatin ushtarak të FSK-së krahas themelimit të Ministrisë së Mbrojtjes, kemi arsye të fuqishme të ndjehemi krenar me të gjitha të arriturat e deritashme duke qenë të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë”.

“Gëzuar bashkë me SHBA-në, aleatin tonë të pazëvendësueshëm që njohu dhe mbështeti deri në fund vullnetin tonë për ushtrinë që kemi. Gëzuar bashkë edhe me gjithë aleatët tjerë! Vazhdojmë rrugëtimin përpara drejtë realizimit të vizionit tonë: Ushtrinë tonë plotësisht operacionale, profesionale, multietnike, moderne dhe plotësisht të ndërveprueshme me forcat e vendeve aleate”, ka shkruar Mehaj.

Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme