Mehaj në konferencën e Kartës së Adriatikut: Është koha e duhur për të udhëtuar së bashku drejt anëtarësimit në NATO dhe BE

Prishtinë | 29 Nën 2022 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka marrë pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut që është mbajtur në Mal të Zi.

Mehaj para të pranishmëve ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti OKB-së, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së.

“Ne mbështesim dhe po punojmë drejt integrimit të plotë në nismat rajonale dhe promovimit të marrëdhënieve paqësore fqinjësore me qëllim rritjen e stabilitetit dhe ruajtjen e paqes.  Pas zhvillimeve të fundit, kur vlerat e demokracisë janë sfiduar nga një doktrinë agresive nga Rusia ndaj Ukrainës, ne mbetemi vigjilentë për të koordinuar aktivitetet dhe për të treguar përkushtimin më të lartë për të punuar së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, ndërsa presim me padurim partnerët që të aplikojnë një qasje integruese të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe në veçanti përkrahjen për integrimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Mehaj.

Më tej ministri i Mbrojtjes ka theksuar se është koha e duhur për të udhëtuar së bashku drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Në të njëjtën kohë, puna e përbashkët, aleanca jonë, do të dërgonte një mesazh të qartë për kundërshtarët e integrimit të Ballkanit Perëndimor se kjo pjesë e botës ka një rrugë të sigurt drejt integrimit në NATO, dhe se vendet e Ballkanit janë të përkushtuara për të ofruar paqe dhe stabilitet. Prandaj, është momenti ta themi haptas se është koha e duhur për të udhëtuar së bashku drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, u shpreh Mehaj.

Ai ka shtuar se misioni i Kartës së Adriatikut dhe i SHBA-së, është afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me proceset integruese në NATO.

“Ne e vlerësojmë shumë ftesën tuaj në këtë takim dhe në të njëjtën kohë, ftojmë të gjitha shtetet të na mbështesin në iniciativën tonë që t’i bashkohemi kësaj nisme, si anëtarë të barabartë, me të drejta të plota”, tha Mehaj, duke shtuar se Kosova është e gatshme të marrë role dhe përgjegjësi të reja.

Mehaj foli edhe për arritjet e shumta në vitin 2021, i cili nga nga to është bashkë-zbarkimi së bashku me Ushtrinë Amerikane në misionin e parë historik paqeruajtës në Kuvajt.

“Ishte një proces që kërkonte shumë përkushtim, koordinim ne partnerë shumëpalësh për të realizuar me sukses të gjitha procedurat dhe aktivitetin në përgjithësi, me ç’rast FSK-ja tregoi një nivel të lartë profesionalizmi duke kryer të gjitha detyrat me dinjitet dhe përkushtim. Po ashtu gjatë kësaj periudhe disamujore për herë të parë Kosova ka marrë pjesë si shtet pritës në stërvitjen më të madhe ndërkombëtare ‘DEFENDER EUROPE 21’ të organizuar në rajonin e Ballkanit. Ndërsa së bashku me partnerët tanë strategjikë, ne jemi në proces të planifikimit për të qenë vendi pritës për stërvitjen në terren “DEFENDER EUROPE 23”, në të cilin ushtrim Republika e Kosovës do të marrë pjesë me rreth 1300 pjesëtarë të FSK-së, të angazhuar si në Kosovë ashtu edhe në disa vende të tjera”, tha Mehaj.

Mehaj tha se Kosova është e gatshme të kontribuojë në çdo iniciativë rajonale dhe më gjerë.

“Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut do të na ofronte një mundësi më të madhe që të kontribuojnë drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin përtej kufijve tanë. Si shtet jemi të përkushtuar për të ndjekur rrugën e demokracisë perëndimore dhe orientimin tonë euroatlantik”, tha ai.

Të ngjashme