Menaxhmenti i Postës emëron kundërligjshëm njerëz të dëgjueshëm në krye të komisioneve

Prishtinë | 14 Jan 2022 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Menaxhmenti i Postës së Kosovës i vënë në krye të kësaj ndërmarrjeje nga pushteti i ri, po i shkelë rregulloret të cilat vetë i ka hartuar, duke emëruar në krye të komisioneve njerëz të dëgjueshëm.

Ata kanë emëruar në krye të dy komisioneve në këtë ndërmarrje, Komisionit Disiplinor dhe atij të Ankesave, njerëz që bien ndesh me Rregulloren për Përgjegjësitë Disiplinore dhe Materiale.

Driton Morina është bërë kryetar i Komisionit të Ankesave, ndërsa Ferki Maxhuni është bërë kryetar i Komisionit Disiplinor.

Ndonëse kryetarët e këtyre komisioneve, sipas rregullores duhet të jenë juristë, asnjëri nga ta nuk e ka këtë profesion.

Sipas informacioneve të publikuara në faqen e Postës së Kosovës, Driton Morina është me profesione ekonomist dhe punon si zyrtar i Financave dhe Thesarit, si dhe as kryetari i Komisionit të Ankesave nuk është jurist.

Në nenin 9 të kësaj rregulloreje që tregon se kush mund ta përbëjë Komisionin Disiplinor thuhet se Komisioni Disiplinor përbëhet prej 3-5 anëtarëve. Ky komision duhet të jetë i balancuar sipas gjinisë.

Anëtarët e këtij komisioni duhet të jenë zyrtarë të PK Sh.A, përderisa njëri prej tyre, i cili caktohet si kryetar i komisionit, duhet të jetë jurist.

Demokracia nga burime brenda Postës së Kosovës ka mësuar se Morina dhe Maxhuni njihen si njerëz të afërt të partisë në pushtet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme