Mërgimtari që u kthye në vendlindje, tash 5 muaj s’po gjen zgjidhje për rrymë

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Zeqir Vllasaku ka gati 5 muaj që po qëndron në terr, ani pse pagesat në KEDS thotë t’i ketë bërë me rregull.

64-vjeçi shpreh indinjatë me institucionet përkatëse që s’po e marrin parasysh problemin e tij edhe pse vet ia kanë shkaktuar. Vllasaku e ka treguar për Koha.net problemin me të cilin po ballafaqohet tash e sa muaj.

Në ’91-ën, ashtu siç bënë edhe shumë të tjerë, Vllasaku shkoi në Gjermani. Atje kaloi kohë të gjatë. Por, tash i është kthyer vendlindjes së tij, Kosovës. Ka lindur në vitin 1955 në Prishtinë.

Kur u kthye në shtëpinë e tij në Kodrën e Trimave, në rrugën “Shemzi Haziri”, më 15 prill të këtij viti, nisi edhe renovimet e shtëpisë, atëherë kur edhe hasi në probleme me rrymë. Kur i është bërë ndërhyrja e parë nga shërbimi përkatës i KEDS-it në njehsor, i është bërë gabimisht. Askush më s’ka marrë përgjegjësi për t’ia rregulluar, ndonëse problemin e ka paraqitur disa herë.

Thotë fillimisht të ketë shkuar tek Ali Ibishi, që është drejtor i rrjetit në distriktin e Prishtinës. I ka sqaruar se ora që i është vënë i është vënë gabimisht, por duket se hasi në vesh të shurdhër. Që atëherë, i është thënë të mos e rregullojë vet sepse është e rrezikshme, por, askush s’ka shkuar t’ia rregullojë. Nga 4 telat që i ka në brendësi, thotë se lidhja e tyre është bërë gabimisht që si shkas edhe s’përçohet energjia elektrike.

Qysh atëherë ka bërë ankesa dhe tri kërkesa për t’ia rregulluar. Koha.net i ka parë edhe faturat e tij të fundit që tek atëherë, pagesat i ka bërë me rregull dhe nuk ka shumë të majme borxhi.

Dje më datë 16 gusht në redaksinë e portalit Koha.net ka ardhur prej zyrave të KEDS-it, pasi atje tha se s’e pranuan në takim. Thotë se s’pati zgjidhje tjetër, e problemin deshi ta denoncojë diku.

“Në shtëpinë time tashmë kanë ardhur familjarë, fëmijët e mi, mbesa e nipa. Dhe sigurisht, ne po qëndrojmë në errësirë”, shprehet i pikëlluar e njëkohësisht i inatosur Vllasaku.

Në muajin maj Vllasaku veç kishte dalë në pension, e kjo duket se po e bën atë të mendojë që askush s’e merr parasysh.

Koha.net ka adresuar problemin edhe tek zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala. Ka kërkuar sqarim rreth situatës, por nga mëngjesi i djeshëm Buzhala s’qe i qasshëm e as nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet që i janë dërguar në e-mail.

Të ngjashme