Mësimi online: Përplasen verbalisht anëtari i SBAShK-ut dhe kryetari i Këshillit të Prindërve

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, është propozuar që mësimi të zhvillohet online.

Ky ka qenë propozimi që ka dalë pas takimit që ka pasur dje ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sindikatës së Arsimit dhe IKShPK-së.

Megjithatë, një vendim i tillë nuk është pritur mirë nga Këshilli i Prindërve.

Kryetari i këtij Këshilli, Ymret Reshiti, bashkë me anëtarin e SBASHK’ut, Lutfi Mani, të ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, janë përplasur verbalisht në lidhje me takimin e djeshëm e propozimet për kalim në mësim online.

Reshiti ka thënë se ftesa për takimin e djeshëm ju ka ardhur shumë vonë, derisa ka thënë se këto janë tendenca që atyre t’u pamundësohet që t’u dëgjohet zëri.

Ndërsa, Mani ka thënë se ata nuk duhet të presin për ftesa, por duhet të marrin iniciativa e të shkojnë pa i thirrur.

Reshiti u deklaruar se është e paarsyeshme që të kalohet në mësim online, kur sipas tij shkollat nuk janë burim i përhapjes së infeksionit.

Gjatë diskutimit u fajësua fushata zgjedhore për këtë rritje të numrit të rasteve të infektuara.

Me këtë rast, Mani nga SBASHK’u tha se në këtë fushatë kanë marrë edhe prindërit.

Reshiti e kundërshtoi Manin, derisa ky i fundit e kritikoi atë se asnjëherë nuk është paraqitur në zyret e SBASHK’ut.

Përndryshe, edhe Reshiti edhe Mani u shprehën pro mësimit në shkolla.

“Kjo është e paligjshme edhe në aspektin e Ligjit Anti-COVID që të merret një vendim dhe të dëmtohet arsimi, kur të gjitha konstatimet e konsiderojnë që më së paku shkollat janë burim i përhapjes së infeksionit. Në Ligjin për Arsimin Parauniversitar që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet Këshilli i Prindërve dhe duhet të dëgjohet nga institucionet kompetente në rastet kur preken interesat e prindërve dhe nxënësve”, tha Reshiti.

Ndërsa, Lutfi Mani tha që është mirë që Këshilli i Prindërve bashkë me SBASHK’un e Ministrinë e Arsimit duhet të diskutojnë për këto çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme