Mësohet arsyeja e ftesës nga Haga për zyrtarin që ishte 8 vjeç në luftë

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Në vazhdën e thirrjeve nga Gjykata Speciale, vendi u ‘trondit’ kur u bë publik lajmi se para prokurorëve të Hagës do të dëshmonte një person që në kohë të luftës kishte qenë hiç më pak se 8 vjeç, transmeton gazeta Metro.


Bëhet fjalë për Rilind Berishën, që lajmin se do të dëshmojë në Hagë e bëri të ditur vetë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Berisha tha se është ftuar që të intervistohet më 5 gusht, por që qëndrimi i tij para prokurorëve të Hagës e intervistimi zgjati për dy ditë. Ditën e parë i njëjti u përgjigj në pyetjet që iu bënë, derisa të nesërmen me datë 6 gusht, ai refuzoi të përgjigjet në pyetjet e prokurorëve.

Derisa intervistimi i tij zgjati më shumë se i të thirrurve të tjerë që ishin pjesë e luftës, në opinionin kosovar u ngjall diskutimi se pse prokuroria që heton krime të luftës duhet ta thërrasë një person që gjatë asaj kohe kishte qenë i mitur. Berisha u kthye në Kosovë vetëm pasi që për këtë intervenoi avokati i tij pasi që një nga prokurorët e Gjykatës Speciale ka tentuar që rastin ta dërgonte për në gjykatë, pas refuzimit të përgjigjes në pyetje.

Në fakt, arsyeja e thirrjes së Berishës s’kishte të bënte me atë se çka mbante mend ai nga lufta e fundit, por, me postin që mban momentalisht në Ministrinë e Drejtësisë, saktësisht në Zyrën për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë nga Gjykata Speciale.

Një burim mirë i informuar ka bërë të ditur për Gazetën Express se arsyeja e thirrjes për në Hagë ka qenë se i njëjti kishte bërë disa shkelje ligjore gjatë kryerjes së detyrës në zyrën për mbrojtjen e të akuzuarve.

Dyshimet janë edhe se i njëjti ka bërë rrjedhjen e disa informacioneve nga zyra në mënyrë të jashtëligjshme.

Të ngjashme