Mësohet se si do të bëhet përzgjedhja e personave me sëmundje kronike e atyre mbi 80 vjeç për vaksinim

Prishtinë | 30 Mar 2021 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i MSH-së tregon se si do të bëhet selektimi i personave me sëmundje kronike e atyre mbi 80 vjeç për vaksinim.

Zëdhënësi në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se procesi i vaksinimit të qytetarëve dhe punëtorëve shëndetësorë po shkon shumë mirë.

I ftuar në T7 ai ka thënë se interesimi i punëtorëve shëndetësorë për ta marrë këtë vaksina ka qenë shumë i madh.

Ai ka thënë se 24 mijë doza të vaksinës me të cilat është furnizuar Kosova nuk do të jenë të mjaftueshme, por që prioritet do të jenë punëtorët shëndetësorë, të moshuarit mbi 80 vjeç, të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve dhe personat me sëmundje kronike.

“Është e drejtë e secilit qytetarë që të pretendoj për ta marrë vaksinën. Si institucione jemi të obliguar të veprojmë sipas planit të vaksinimit. Faza e parë ka paraparë vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, vaksinimin në shtëpitë e të moshuarve, pastaj të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare dhe pastaj shkohet me personat me sëmundje kronike”, ka deklaruar ai.

Hoti ka treguar edhe se si do të bëhet selektimi i atyre personave që janë mbi 80 vjeç e po ashtu personave me sëmundje kronike.

“Ka shumë informacione që grumbullohen. Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare i kanë listat e personave me sëmundje kronike, pasi ato vazhdimisht i trajtojnë ata. Ndërsa, sa i përket grupmoshave të moshuara, një lehtësim ka paraqitur fakti që Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale listat me personat mbi moshën 65 vjeçare, pastaj selektohen ata që janë mbi 80 vjeç”, ka deklaruar ai.

Për ta kompletuar procesin e regjistrimit, ai ka thënë tutje se MSH dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë lansuar një platformë online, në të cilën qytetarët pavarësisht moshës mund të hyjnë dhe ta bëjnë regjistrimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme