Meta shpreh mirënjohjen më të thellë për Gjilanin për mikpritjen e familjeve nga Shqipëria

Gjilan | 04 Dhj 2019 | 14:56 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka qëndruar sot në Gjilan, ku së bashku me kryetarin Haziri dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen Abazi për t’iu shprehur ngushëllimet, e më pas është pritur në takim nga kreu i Komunës.

“Kujdesi nga Presidenti Meta për familjen Abazi dhe për qytetin tonë, tregon përkushktimin e madh të tij. Shpreh falënderim të madh për vizitën e sotme. Askush më mirë se gjilanasit nuk e bashkëndjejnë dhembjen më vëllezërit tanë në Shqipëri sepse ne e kemi kaluar një tërmet me pasoja fatale dhe me dëme materiale në vitin 2002. Jemi bashkë në përballimin e kësaj situate”, ka thënë pas takimit kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri njoftoi se 186 shqiptarë të Durrësit janë vendosur në familjet gjilanase dhe fëmijët e tyre prej të hënës kanë filluar të shkojnë në shkollë.

Kurse, presidenti Meta tha se ka ardhur në Gjilan për të shprehur falënderimin e përzemërt për solidaritetin e kësaj komune dhe të Kosovës ndaj Shqipërisë.

“Jam në Gjilan për të shprehur falënderimin më të përzemërt dhe mirënjohjen më të thellë për popullin dhe institucionet e Kosovës, FSK’në, Policinë e Kosovës dhe të gjitha ekipet tjera që erdhën të parët, menjëherë pas tërmetit të tmerrshëm, duke dhënë kontribut të jashtëzakoshëm për të shpëtuar shumë jetë dhe për të ndihmuar banorët e lënduar”, tha Meta.

Kreu i shtetit shqiptar ka falënderuar kryetarin Haziri dhe popullin e Gjilanit për mikpritjen dhe dhjetëra familjeve nga Shqipëria dhe kujdesin ndaj tyre.

“Nuk mund të mos vija sot në Gjilan për të qëndruar pranë familjes Abazi e cila pati një humbje të jashtëzakonshme në këtë tragjedi. Por, me solidaritetin e jashtëzakonshëm të Gjilanit, të kyetarit Haziri, këtë dhembje do të jetë e mundur të tejkalohet dhe fëmijët e tyre do të kenë mundësi që të shohin me besim drejtë së ardhmes, duke mos qenë asnjëherë te vetmuar”, ka nënvizuar presidenti Meta.

Të ngjashme