MI-ja financon ndërtimin e dy rrugëve në Suharekë

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 14:57 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për ndërtimin e dy rrugëve në Suharekë.

Qëllimi i këtij Memorandumi është financimi i projekteve infrastrukturore për ndërtimin e rrugëve Mushtisht – Shtërpcë në vlerë prej 1 000 000 eurosh dhe Nishor – Bellanicë (Suharekë – Malishevë) në vlerë prej 150 000 eurosh.

Me anë të këtij Memorandumi janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë për të dyja palët, me të cilin MI obligohet t’i sigurojë mjetet për të dy projektet, pagesat e të cilave do të bëhen në pajtim me realizimin e punimeve/furnizimeve sipas kushteve të kontratës.
Po ashtu, MI do të caktojë një zyrtar për mbikqyrjen e realizimit të projekteve nga fillimi deri në përfundim të kontratës dhe me vendim do të caktoj detyrat, përgjegjësitë dhe autorizimet e zyrtarit për mbikqyrje.

Ndërsa Komuna e Suharekës obligohet të siguroj deklaratën e disponueshmërisë së mjeteve në tërësinë e vlerës së projekteve dhe një kopje ta dërgojë në MI, të krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomik, të ndërmarrë të gjitha masat që kontraktuesit të fillojnë pa pengesë implementimin e projekteve me kohë, si dhe të sigurojë specifikacionet teknike.

Komuna obligohet që projektet t’i zhvilloj në pajtim me Ligjin mbi prokurimin publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, si dhe aktet nënligjore për zbatimin e këtyre ligjeve, të kryejë procesin e tenderimit dhe të caktojë komisionin për hapjen e ofertave dhe vlerësim të tenderëve, në të cilat komisione duhet të marrë pjesë një antar nga MI, të emërojë projekt-menaxherin/organin mbikëqyrës për realizimin e projekteve, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve/pranimin teknik, në të cilën komision duhet të jetë një anëtar nga MI-ja.

Po ashtu, Komuna duhet të ndërmarrë të gjitha masat që projektet të përfundojnë në përputhje me ndarjet buxhetore sipas viteve për projektin e tillë dhe me kualitet të lartë, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e projekteve përfshirë procedurat dhe kompensimin në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme