Miftaraj: Qeveria po keqpërdorë paranë publike, po ndahen mjetet në kundërshtim me ligjin

Prishtinë | 16 Qer 2019 | 08:18 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës me një vendim të marrë të datës 23 maj 2019 u ka dhënë mundësi disa  anëtarëve të Komisionit Ekzekutiv për Përgatitjen e Akteve Nënligjore për Zbatimin e Ligjeve për Reformën e Administratës publike dhe grupit punues që puna e tyre për hartimin e një legjislacioni sekondar do t’u kompensohet me shumën e ndarë prej 95 mijë eurove.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se ky vendim i Qeverisë është një prej keqpërdorimeve të tjera ngase 95 mijë euro janë ndarë buxhet shtesë nga rezervat shtetërore për drejtorë të qeverisë e ministrive te caktuara, që t’u jepen paga shtesë për hartimin e legjislacionit sekondar.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë analizimit të vendimit të Qeverisë lidhur me mjetet shtesë për 95 mijë euro prej rezervave të shtetit për grupin punues të cilët do të punojnë në hartimin e legjislacionit sekondar lidhur me zbatimin e reformës shtetërore në Administratën Publike vlerëson se një vendim i tillë është i kundërligjshëm pasi që ky vendim përcakton mjete shtesë për punën të cilën në bazë të ligjit në bazë të përshkrimit të detyrave këta drejtorë, këta udhëheqës të divizioneve, këta persona të cilët hynë në këtë vendim do të duhej ta përfundonin hartimin e legjislacionit sekondar”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se ky vendim është në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, ku me atë janë edhe të përcaktuara mënyrat e kompensimit për punën e shërbyeseve civil pas orarit të rregullt.

“Një vendim i tillë është në kundërshtim të plotë edhe me vet ligjin aplikueshëm për shërbimin civil i cili përcakton se në rastet kur shërbyesit civilë punojnë jashtë orarit janë tarifat dhe është mënyra se si do të kompensohen për këtë ku asnjë mënyrë asnjë rast nuk lejohet që me një kompensim fiks është rasti me 300 apo 500 euro të njëjtin të kompensohen për punë jashtë orarit të punës”, tha ai.

Miftaraj ka thënë se Qeveria e tanishme po merr vendime të kundërligjshme çdo ditë që kapin vlerën e mijërave e milionave eurove. Sipas tij, kryeministri Ramush Haradinaj po ndjehet komod me shkeljet e ligjit. Ai thotë se këto vendime po bëhen edhe për të fituar poenë politikë.

“Nuk ka asnjë logjikë që legjislacioni sekondar të kryhet pas orarit të punës, këta persona të cilët janë në grup punues do duhej të përkushtoheshin që brenda orarit të punës ta finalizojnë legjislacionin sekondar që ndërlidhet me reformën e Administratës Publike, por edhe nëse ndodh që ndonjëherë të njëjtit të punojnë jashtë orarit të punës atëherë ligji për shërbimin civil e përcakton në mënyrë të qartë se si mund të kompensohen shërbyesit civil”, tha ai.

“…Kryeministri merr vendime selektive pasi që për një grup të personave të privilegjuar siç është rasti konkret iu lejon kompensim shtesë siç thuhet për punë jashtë orarit përderisa kemi me mijëra e me mijëra zyrtarë tjerë publik, shërbyes civil që punojnë jashtë orarit të punës por asnjëherë nuk i realizojnë këto të drejta që ua garanton ligji, fatkeqësisht një praktikë e tillë e instaluar nga kryeministri Haradinaj e dëshmon ose e dërgon tek ajo që kemi thënë se kjo qeveri qëllimin kryesor nuk e ka ligjshmërinë por e ka pasurimin e personave të caktuar që punojnë në qeveri dhe keqpërdorimin e buxhetit të Kosovës”, tha ai për EO.

Miftaraj tha se për këtë vendim duhet të japin përgjegjësinë të gjithë ata që kanë votuar për miratimin e një vendimi të tillë, pasi që buxheti i ndarë është i panevojshëm dhe se hartimi i legjislacionit sekondar është dashur të bëhet në orarin e rregullt të punës.

“Përgjegjës në radhë të parë është vetë kryeministri, por edhe gjithë ata ministra që kanë qenë në mbledhjen e Qeverisë dhe e kanë ngritur dorën për të votuar një vendim të tillë, sikurse për publikun do të duhej të ishte shumë më në interes që Qeveria të jap sqarime se nga kush ka filluar kjo iniciativë, cili është arsyetimi i dhënë për këtë ndarje të kësaj shume të madhe të parave për këtë grup punues dhe nëse kjo punë do të mund të bëhej me resurset aktuale brenda orarit të punës që ndodh në gjitha vendet e botës përveç në Kosovë ku legjislacioni sekondar në një sektor shumë të rëndësishëm siç është Administrata Shtetërore kryhet jashtë orarit të punës”, shtoi Miftaraj.

Të ngjashme