Migrantët kthehen në shtëpi me programin AVRR

Prishtinë | 21 Tet 2020 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Programet e IOM synojnë të menaxhojnë migracionin e parregullt, të parandalojnë trafikimin njerëzor, të kontribuojnë në zhvillimin kombëtar dhe të ndihmojnë qeveritë në menaxhimin e aktiviteteve të migracionit. Një program i tillë është ai i kthimit vullnetar të asistuar dhe reintegrimit– Assisted Voluntary Return and Reintegration (AVRR), të cilin IOM e zbaton që nga viti 1979.

“Migrantët e interesuar për kthim vullnetar mund të kontaktojnë IOM ose shërbimet përkatëse në ndonjë nga qendrat pritëse në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Malin e Zi, Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Kosovë. Për momentin, 250 migrantë kanë shfaqur interes të largohen nga Ballkani Perëndimor dhe të kthehen në shtëpi. Ndërkaq 207 prej tyre ndodhen në Bosnje dhe Hercegovinë, nga ku një familje prej pesë anëtarësh të ndodhur në një qendër pritëse të përkohshme, vendosi të kthehej në vendin e origjinës në mënyrë vullnetare, të sigurt dhe dinjitoze. Ata qëndruan për dy muaj në qendrën Ushivak”, thuhet në njoftimin për media.

Nafis (27) dhe Fatma (26) u larguan nga Iraku me tre fëmijët e tyre pak më shumë se një vit më parë. Fëmija më i vogël në atë kohë ishte vetëm tre muajsh. Udhëtimi i tyre nuk ishte aspak i lehtë. Ata hynë në “gejm“ dhe u detyruan të përdorin “smagler“. Termi i parë anglisht në këtë tregim nënkupton një përpjekje për të kaluar kufirin, ndërsa termi i dytë personat që paguhen nga migrantët për t’i sjellë ata nga njëri vend tek tjetri, d.m.th kontrabandistë njerëzish.

“Ne udhëtuam me avion nga Iraku në Turqi. Më pas erdhën momentet e makthit dhe hyjmë në “lojë“. Një lojë me disa akte. Momentet që u desh të kalonim kanë qenë jashtëzakonisht të vështira pasi kishim me vete fëmijë të cilët tani janë gjashtë, pesë dhe një vjeç. Në atë kohë, më i vogli sapo kishte lindur. U detyruam të kërkonim ndihmë nga “kontrabandistët“ për të kaluar detin ilegalisht. Nga Turqia, mbërritëm në një ishull grek, pastaj në Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe më në fund mbërritëm në Bosnjë dhe Hercegovinë“, shprehen ata për peripecitë e kaluara.

Në qendrën e pritjes së përkohshme në Hadzici, se ishte mirë, kishte ushqim, rroba, higjienë dhe fëmijët kishin një vend për të luajtur thonë ata… Por, erdhi koha të ktheheshin në shtëpi, në 30 shtator nga aeroporti ndërkombëtar në Sarajevë me mbështetjen e punonjësve të IOM të cilët siguruan transportin, dokumentet e duhura të udhëtimit dhe detaje të tjera të rëndësishme për një udhëtim të sigurt në shtëpi.

“Ne e dorëzuam kërkesën për kthim në Serbi në fillim të vitit, por kjo nuk ndodhi. Më pas gjërat u ndërlikuan edhe më shumë për shkak të koronavirusit por më në fund po largohemi. Së pari, do të gjejmë strehim sepse i kemi humbur të gjitha. Do e nisim nga e para, nuk kemi asgjë për momentin. Unë punoja si shef në një restorant dhe si mjeshtër picash, por gjithashtu punoja edhe si berber.Tani më duhet të kërkoj punë“, thotë Nafisi, thuhet më tej në njoftim.

Ata nuk kanë asgjë materialisht, por sic shprehen, kanë gjënë më të vlefshme, njëri-tjetrin.

“Fati na ka mësuar të vlerësojmë jetën mes vështirësive. Udhëtimi me foshnje tre muajshe ishte një tmerr. Kur u përpoqëm për herë të parë të kalonim detin, lundruam me një varkë plastike për pesë orë. Tubi i gomës që foshnja kishte rreth tij filloi ta mbyste, dhe meqenëse ishte natë ne nuk e vumë re. Frymëmarrja e foshnjës ndali. Kjo ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte. Mund ta kishim humbur fëmijën. Kur i mbijetuam kësaj, do të bëjmë gjithçka, vetëm për të qenë së bashku.. Errësirë, pyje, të zbathur, të uritur…. nuk do ju besohet ku kemi ecur. Kur policët na panë nga dolëm nisën të qajnë sepse u erdhi keq dhe pyesin veten se si kishim arritur të mbijetonim. Të gjitha i takojnë së shkuarës. Ndihemi mirë dhe në Bosnje ishte shumë mirë, por erdhi koha të kthehemi në shtëpi“, thonë ata me lot në sy para nisjes drejt Irakut.

Ky emër është përdorur pa paragjykuar pozicionin e statusit,dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe qëndrimin e Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Emrat dhe detajet e identifikimit janë fiktivë për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e personave.

Këtë herë, ishin lot gëzimi, sepse sic thonë nuk e humbën mirësjelljen dhe dinjitetin edhe në kushte të vështira.

“Vetëm nëse një person humb dikë mund ta konsiderojë atë si humbje, ndërsa paratë, shtëpia dhe gjërat e tjera nuk janë humbje. Ne festuam ditëlindjet e fëmijëve me ndonjë mollë ose ndonjë çokollatë dhe këtu jemi gjallë. Por jo pa makthe. Burri im tani ka frikë nga uji, dhe unë kam frikë nga errësira¬¬˝, përfundon Fatma.

Programi i kthimit vullnetar të asistuar dhe riintegrimit (Assisted Voluntary Return and Reintegration – AVRR ) zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ( IOM ) në bashkëpunim me autoritetet e Ballkanit Perëndimor. Migrantët janë vendosur në qendrat e pritjes ku shërbejnë këshilltarët e AVRR të cilët i informojnë çdo ditë për situatën në vendet e tyre të origjinës, për procedurat e kthimit vullnetar të asistuar, për ndihmën për riintegrim që mund t´u sigurohet atyre pas kthimit në vendet e tyre të origjinës dhe aktualisht për pandeminë COVID 19.

“Për migrantët e ndodhur jashtë qendrave të pritjes së përkohshme janë në dispozicion ekipet e lëvizshme të dhënies së informacionit. Ata vizitojnë rregullisht vendet ku grumbullohen migrantët në mënyrë që t´u sigurojnë atyre informacion real dhe të saktë rreth temave të tyre të interesit. Në këtë mënyrë, punonjësit e IOM në rajon informuan gjithsej 64.716 migrantë, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë numri i migrantëve të informuar që nga fillimi i programit AVRR deri më tani është 31.463. Shumica e migrantëve të informuar janë burra të rritur që udhëtojnë vetëm (në rajon – 60.428, në Bosnjë dhe Hercegovinë – 28.578). Informacioni mbi programin e kthimit vullnetar dhe riintegrimit, si dhe të gjitha detajet mbi regjistrimin për kthim, janë në dispozicion të migrantëve në gjuhët e tyre amtare ( arabisht, farsi, urdu, pashtu dhe hindu) dhe mund të gjenden në broshurat e vëna në dispozicion të tyre cdo ditë˝, thotë Peter Van der Auweraert, Shefi i Misionit të IOM në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Koordinator nënrajonal për Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme