Ministrat Lekaj e Nurkovic vizituan urën më të gjatë në rajon, e cila po ndërtohet në autoudhën “Arbën Xhaferi”

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 16:57 | Nga

Ministrat Lekaj e Nurkovic së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, kanë vizituar urën që po ndërtohet në autoudhën “Arbën Xhaferi”, e cila është një nga urat më të gjatat në rajon dhe një nga vlerat më të mëdha infrastrukturore në vendin tonë.

Ministri Pal Lekaj, duke e vlerësuar lart gatishmërinë e ministrit të Malit të Zi, Osman Nurkovic, në thellim të bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të përbashkëta dhe përkrahjen e pa rezervë që Mali i Zi ka dhënë dhe po jep për Kosovën tha:

“Ne sot i vizituam punimet në urën më të gjatë në Ballkan, 5.7 kilometra e gjatë. E përgëzoj kompaninë për punën dhe standardin e krijuar në rajon. Ne na duhet bashkëpunimi me Republikën e Malit të Zi dhe ky bashkëpunim do të ketë impakt në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e korridoreve, por kjo vizitë do t’i intensifikojë raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës”.

“Ajo që vlen të theksohet është se ne përmendëm shumë projekte por me qëllim erdhëm këtu dhe e falënderoi ministrin Nurkovic që pranoi të vijë dhe nga afër t’i shikojë punimet, standardet dhe t’i shkëmbejmë përvojat në mënyrë që të ndikojmë edhe në implementimin e projekteve të përbashkëta.  Ne po e bëjmë më të mirën e mundshme për qytetarët e Kosovës dhe e kam thënë që në fillim se ne do të shtrihemi në tërë Kosovën me punë me standarde dhe do të jemi në shërbim të qytetarëve njëzetekatër orë”.

“Me këto qëllime jemi edhe sot t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se ne po e bëjmë punën tonë dhe se qytetarët duhet të krenohen me këto standarde sepse ka qenë ëndërr e kahmotshme e Kosovës që të kemi këtë infrastrukturë e sidomos këtë udhë që do të jetë shembull i mirë. E falënderojë ministrin dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin edhe në takime dhe samite të ndryshme që kemi pasur jashtë vendit dhe mbështetjen e fuqishme të Malit të Zi që Kosova të integrohet në organizmat ndërkombëtarë”, tha ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Ministri Nurkovic duke iu adresuar gazetarëve tha se mbetet i fascinuar me cilësinë dhe  vlerën e projekteve që po implementohen në Kosovë.

“E falënderoi ministrin Lekaj për pritjen dhe sigurisht që jam i fascinuar me atë që e pashë sot këtu. Uroj që kjo punë cilësore të përfundojë brenda afateve dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Shpresoj që ndërtime me cilësi të tillë të vazhdojnë edhe në drejtim të Malit të Zi, gjë për të cilën edhe kemi biseduar në takimet e sotme”, tha ministri i Malit të Zi, Osman Nurkovic.​

Të ngjashme