Ministri Aliu sërish para gjykatës – mbrojtja paraqet prova të reja, kërkon të hedhet poshtë aktakuza

Prishtinë | 07 Qer 2021 | 10:15 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca për shqyrtimin e dytë ndaj rastit të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, dhe disa të personave të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Ekonomia Online.

Avokati Fatlum Podvorica, mbrojtës i ministrit Aliu tha se ka prova të reja për këtë proces.

Podvorica tha se për pronësinë e ngastrës kadastrale për të cilën është ngritur aktakuza ka një procedurë kontestuese.

Avokati i Aliut pretendon se aktakuza është ngritur pas afatit ligjor. Podvorica, i ka dorëzuar kopjet e aktgjykimeve për masë të përkohshme për ngastrën në fjalë.

Sipas tij, në shkrimore del që masa e përkohshme tashmë është larguar, por ende nuk është vendosur për kontestin.

Ai po ashtu ka pretenduar se është ngritur aktakuza pas afatit ligjor.

Podvorica thotë se aktakuza është ngritur dy vjet e tre muaj pasi Dan Imeri ka ushtruar kallëzim penal për Aliun dhe të tjerët ndërsa ligjërisht, Prokuroria ka kohë dy vjet për ngritjen e aktakuzës.

“Procedura administrative, e cila është paraqitur sipas kërkesës së Dan Imerit nuk është dashur të zhvillohet për arsye se kemi të bëjmë me çështje paraprake dhe këtë shprehimisht neni 85 i ligjit të procedurës së përgjithshme administrative përcakton se kur organi publik, andaj konsideroj që edhe kjo është një provën plotësuese e kërkesës për hedhjen e aktakuzës”.

Mbrojtësi i Aliut i ka propozuar gjykatës që ta hedh poshtë aktakuzën, duke e konsideruar të paafatshme.

Përderisa Aliu ka filluar t’i sqarojë procedurat e miratimit të planit urban, por që gjyqtari e ka ndërprerë me arsyetimin që “nuk je kompetent”, raporton EO.

Ai ka thënë se refuzimi i kërkesës është sepse Dan Imeri ka kërkuar ndërtim individual banimi ndërsa me planin rregullues urban parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe.

“Në krejt këtë çka e tha avokati pajtohem plotësisht, ky plan rregullues urban është miratuar në vitin 2013, që i bie pas planit zhvillimor urban i cili është miratuar me 24 shtator 2013”.

“Çfarëdo lloj dokumenti qoftë plan rregullues, të gjitha këto dokumente i nënshtrohen tri herë vendimeve të kuvendit komunal. Në momentin që është miratuar është verifikuar ligjshmëria e tij në bazë të ligjit për qeverisje lokale”.

Avokati Arber Istrefi që e përfaqëson të akuzuarin Ardian Ollurin, tha se aktakuza në fjalë e ngarkon Ollurin se i njëjti paska vepruar në kundërshtim me interesin individual.

Pra sipas tij, aktakuza e vë interesin individual para interesit publik.+

Avokati i të akuzuarës Mimoza Berisha-Prestreshi, Florin Vertopi tha se Dan Imeri e ka iniciuar këtë kallëzim penal e ka bërë pa autorizim nga personat e tjerë.

Sipas tij, ai thirret si përfaqësues të lagjes, por në kallëzim penal nuk është fare autorizimi.

Qysh në fillim sipas tij, Prokuroria është dashur ta hedhë poshtë këtë kallëzim penal.

Prokurorja e rastit Dulina Hamiti i ka propozuar Gjykatës që kërkesat e të akuzuarve për hudhjen poshtë të aktakuzws të refuzohen si të pabazuara, raporton EO .

Ajo tha se që aktakuza është e mbështetur në prova dhe dëshmi të cilat ka propozuar që të shqyrtohen gjatë afatit ligjor.

“Kemi paraqitur përgjigjen me shkrim, dhe kemi propozuar që të refuzohen kërkesat për hedhjen e aktakuzës, për veprat penale për të cilën janë akuzuar”.

“Aktakuza e ngritur nga ana e prokurorisë për veprat penale është mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme të cilat, dhe aktakuza e ngritur është ngritur konform dispozitave ligjore dhe brenda afatit ligjor, i propozojmë gjykatës që kërkesa për hedhjen e aktakuzave të refuzohen si të pa pabazuara”.

Përderisa Gjykata do të vendos brenda afateve kohore nëse do të hedh aktakuzën, nëse do të kërkoj plotësim të saj apo të nis shqyrtimi gjyqësor.

Aliu akuzohet për kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të kësaj aktakuze, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi po akuzohen edhe se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nuk kanë zbatuar vendimin nr. A-231/2017 të datës 06.09.2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.Nr.1827/17 të datës 08.11.2017, dhe të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin A.nr 514/2017 të datës 30.11.2017 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilët Aktvendime refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit Komuna e Prishtinës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me numër A-231/17 të datës 06.09.2017, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore, nga neni 402 par 2 lidhur me par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të ngjashme