Ministri Gashi merr pjesë në Samitin e Londrës në kuadër të Procesit të Berlinit

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 18:31 | Nga

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, po merr pjesë në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku pjesëmarrës janë edhe ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të shteteve të Procesit të Berlinit dhe institucioneve në fushën e sigurisë.

Samitin e hapi ministri i Shtetit për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, i cili trajtoi rëndësinë e sigurisë, terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimeve të rënda dhe të organizuar.

Në këtë samit,  Gashi duke diskutuar çështjet ndër sektoriale të sigurisë, vuri në dukje përpjekjet që po bën Kosova sa i përket Luftës kundër Terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Më këtë rast ministri Gashi theksoi se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vazhdojnë të mbeten një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe vet mënyrën e jetesës së shoqërisë.

Ai tha se trendi global i terrorizmit dhe shtrirja e tij, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka kërcënuar gjithë rajonin, Evropën dhe më gjerë.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të specializuara do të vazhdojnë të mbeten të përkushtuara për dhënë ndihmesën e tyre të pakursyer për të luftuar deri në fund këtë të keqe të madhe të njerëzimit”, theksoi Gashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme