Ministri gjerman për Evropë: Kosovës duhet t’ia japim vizat që ia premtuam

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Ministri gjerman për Evropë, Michael Roth, ka deklaruar se duhet të liberalizohen vizat për kosovarët.

Në një shkrim për “Die Welt”, Roth thotë se situata në Ballkanin Perëndimor edhe më tej mbetet e brishtë.

Sipas ministrit gjerman, pajtimi në rajon është faktor kyç për paqen dhe ndryshimin, për një perspektivë të mirë në Ballkanin Perëndimor.

“Për sa i përket rolit të BE-së, është e qartë: Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për oborrin e shtëpisë evropiane. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për hir të paqes, pajtimit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Posaçërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë, Evropa e bashkuar e vlerave të përbashkëta nuk e ka humbur shkëlqimin. Prandaj ne duhet që fuqinë tonë transformuese ta shfrytëzojmë me mençuri dhe t’iu tregojmë njerëzve në rajon, se mund të llogarisin në ne. Edhe më e rëndësishme ishte që në Samitin e BE-së në maj – edhe pse që u gjendëm në mes të provës stresuese të krizës që shkaktoi Corona – edhe një herë pangatërrueshëm dhe shumë qartë e theksuam që: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka thënë ai.

“Dhe duke hedhur shikimin nga Kosova, ne si BE duhet të japim atë që kemi premtuar dhe më në fund të përparojmë në rrugën e liberalizimit të vizave”, thotë ai.

Roth ka folur edhe për prioritetet e Gjermanisë në Këshill të Bashkimit Evropian.

“Vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së ne do t’u qëndrojmë përkrah. Ky është edhe një prioritet i Presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë së cilës Gjermania ka marrë veçanërisht përgjegjësi! Në përpjekjet për pajtim në rajon, si dhe në kapërcimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga kriza e Coronës, ne do të jemi përkrah rajonit. Njerëzit duhet ta ndjejnë atë që përbën solidaritetin evropian dhe atë që e bën të veçantë dhe të vlefshme Evropën tonë të bashkuar”, ka shtuar tutje.

Gjermania, sipas tij, do t’i japë frymë të re dialogut, derisa, ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve të cilës i është referuar si “ujdi e rrezikshme”.

“Dhe duke marrë parasysh tensionet rajonale, ne duhet t’i japim një frymë të re dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo për shkak se kemi nevojë për zgjidhje të qëndrueshme të konflikteve – dhe jo „ujdi“ të rrezikshme, të cilat me fantazi për shkëmbim kufijsh kërcënojnë të hapin sërish kutinë e Pandorës të mbarësuar me aq shumë konflikte”, thotë ministri gjerman.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Të ngjashme