Ministri i Arsimit udhëton jashtë Kosovës ndërkohë që pritej të testohej për Coronavirus

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Minstri i Arsimit, Ramë Likaj ka udhëtuar jashtë vendit ndërkohë që është në pritje për tu testuar për Coronavirus nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

E pyetur lidhur me një informacion tjetër, asistentja e tij, Fjolla Hajrizaj ka thënë se ministri Likaj aktualisht nuk gjendet në Kosovë.

Hajrizaj më herët ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se ministri Likaj bashkë me kabinetin e tij do t’i nënshtrohen testit për Coronavirus.

“Ministri Ramë Likaj gjatë kohës sa ka pasur kontakt me zyrtarë që tashmë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 ka respektuar distancën dhe dy palët kanë qenë duke bartur maska. Sa i përket testimit, njëherë janë në proces personat që kanë pasur kontakt direkt dhe janë më të dyshuar. Ministri dhe kabineti i kanë dërgu emrat për testim por ende nuk janë testu, kjo varet prej IKSHPK-së. Jo, nuk është në vetizolim sepse ka qenë i mbrojtur edhe ministri edhe pala që është konfirmu pozitive, kështu që nuk kemi pasur asnjë dyshim të vetëm, asnjë simptomë për të cilën ishin dashtë të vetizolohen. Mirëpo për siguri dhe për përgjegjësi që e kemi, për mos e rreziku shëndetin e qytetarëve ka me u testu ministri dhe kemi me qenë transparent sa i përket rezultatit”, ka thënë Hajrizaj.

Ministri Likaj kishte deklaruar mbrëmë se ka pasur kontakt me dy zyrtarë brenda ministrisë që ai udhëheqë, të cilët ishin konfirmuar pozitvë me koronavirus. Likaj kishte theksuar se ka pasur kontakt vetëm nga distanca.

Të ngjashme