Ministri i Drejtësisë i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë që të hetojnë vaksinat në Veri

Prishtinë | 26 Dhj 2020 | 21:33 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i ka bërë thirrje Kryeprokurorit të Shtetit dhe u.d Drejtorit të Policisë së Kosovës për fillimin e hetimeve ndaj hyrjes ilegale të vaksinave në Mitrovicën Veriore.

Selimi ka thënë se vaksinat dhe trajtimet e tjera mjekësore ilegale përbëjnë cenim të sigurisë kombëtare të Kosovës. Ai këto komente i ka bërë përmes një postimi në Facebook.

Udhëheqësi i dikasterit të Drejtësisë ka thënë se futja e vaksinave “Pfizer” në Mitrovicë Veriore nënkupton se ka vend për kontrabandim në territorin e Kosovës.

Reagimi i plotë:

Kërkesë publike për Prokurorinë dhe Policinë

Ftoj Kryeprokurorin e Shtetit dhe U.D. Drejtorin e Policisë së Kosovës që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri. Përtej obligimit tonë që të sigurojmë shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së. Çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë ketij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenoj sigurinë kombëtare të Republikës.

Ne nuk kemi ndarje të privilegjit se kush merr vaksinë më herët apo më vonë. Çdo qytetar i Republikës është i barabartë. Rrugët e kontrabandës duhet të hetohen dhe të mbrohet integriteti territorial.

Ky sistem i kamufluar si çështje humanitare jep indikacion se ka rrugë të kontrabandës në veri. Këto rrugë duhet të mbyllen! Çështjet humanitare janë udhërrëfyes yni, por duhet të bëhen rrugëve zyrtare si dy shtete.

Nuk kemi qytetar të kategorisë së parë ose të dytë. Të gjithë jemi kosovarë dhe si të tillë i obligohemi vetëm nje Kushtetute e një ligji.

Kemi sistem unitar të shtetit. Tendencat e Serbisë për ta rrezikuar këtë sistem, qoftë edhe në sistem shëndetesor, përbën cenim të integritetit tonë.

Të ngjashme