Ministri Matoshi dhe kryetari Bahtiri bashkë pastrojnë Mitrovicën jugore

Prishtinë | 16 Sht 2018 | 13:57 | Nga

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot së bashku me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri kanë marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili aksion nga dje më 15 shtator po mbahet në gjithë vendin.

U. d ministri Matoshi, para qytetarëve të mobilizuar për këtë aksion, tha se komuna e Mitrovicës dhe e gjithë Kosova do të jenë më të pastra, falë vullnetit të të gjithëve.

“Jemi këtu në komunën e Mitrovicës për dy tema të cilat lidhen me shëndetin tonë dhe kualitetin e jetës sonë. E para ka të bëjë me ajrin dhe ruajtjen e cilësisë së ajrit, që ne si Ministri e Mjedisit, organizojmë javën pa makina që po e fillojmë në Mitrovicë dhe do të zgjasë deri më 22 shtator në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Po ashtu jemi këtu për t’i dhënë mbështetje edhe aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’ që e kemi filluar dje dhe do vazhdojë deri më 22 dhjetor”, tha Matoshi.

U. d ministri Matoshi, falënderoi gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e institucioneve, Bashkësitë Fetare, FSK-në dhe KFOR-in për mbështetje në këtë aksion nacional për pastrimin e vendit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se kjo komunë do t’i ngjajë komunave evropian.

“Sot jemi mbledhur këtu së bashku me ministrin Matoshi për të qenë gjithmonë afër qytetarëve dhe për të filluar aksionin për pastrim. Sot kemi dy aktivitete, i pari për pastrimin e Mitrovicës dhe i dyti do udhëtojmë me biçikleta ose në këmbë për të mbrojtur mjedisin. Mitrovica do t’i ngjajë komunave evropiane dhe si të tillë do ta ruajmë”, tha Bahtiri.

U. d ministri Matoshi, së bashku me kryetarin Bahtiri, kanë filluar aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” duke përshkruar rrugën nga objekti i komunës se Mitrovicës, deri te rrethi në pjesën veriore. Së bashku, u. d Matoshi dhe kryetari Bahtiri i janë bashkangjitur vullnetarëve për të pastruar edhe në fshatin Bare të Mitrovicës.

Gjatë këtij aksioni, u. d ministri Matoshi dhe kryetari Bahtiri, kanë shënuar edhe fillimin e javës pa Makina, duke ngarë biçikleta nëpër pjesë të ndryshme të qytetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme