Murati fton bizneset turke të investojnë në Kosovë

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 15:12 | Nga

Ministri i Diasporës, Valon Murati, gjatë qëndrimit të tij në Turqi, i shoqëruar nga drejtori i Qendrës Kulturore në Stamboll, Qamil Bytyqi, takoi zyrtarë të institucioneve arsimore, biznesmenë turq dhe shqiptarë që veprojnë në Turqi, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe bashkatdhetarë.

Në kuadër të takimeve me institucionet arsimore, Murati u takua me zyrtarët e Universitetit Trakya, i cili është zgjedhur nga Ministria e Arsimit e Turqisë si universitet që do t’i përgatitë programet e mësimeve për lëndët zgjedhore në gjuhën shqipe.

Ky takim zhvillohet pas nënshkrimit të protokollit të iniciuar nga Drejtoria e Arsimit Bazë e Ministrisë së Arsimit të Turqisë, sipas të cilit nga viti i ardhshëm, që nga klasa e 5-të, gjuha shqipe dhe ajo boshnjake do të vendosen në programin arsimor si lëndë zgjedhore. Ministri Murati i njoftoi ata lidhur me kushtet që ofrojnë shtetet e ndryshme evropiane për mësimin plotësues shqip në diasporë, si dhe me kushtet që ofron Kosova për komunitetin turk në fushën e arsimit. Ai shprehu kënaqësinë për iniciativën që ka ndërmarrë shteti turk lidhur me programin për gjuhën shqipe. Gjithashtu, Murati ofroi ndihmën e plotë për këtë program, në bashkëpunim edhe me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, si në fushën e kuadrove, po ashtu edhe në atë të hartimit të kurikulës, dhe kjo u prit shumë mirë nga bashkëbiseduesit.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ministri Murati u takua edhe me biznesmenë turq që kanë investuar në Kosovë, të cilët u interesuan për kushtet e investimeve në Kosovë në projekte të mëdha, në fushën e energjetikës. Ndërkaq, të hënën, Ministri e vizitoi kompaninë për prodhimin e çantave, “Matrash”, pronë e dy vëllezërve shqiptarë, e cila ka rreth 1000 punëtorë dhe kryen shërbime për brendet më të njohura botërore.

Në takimin e organizuar me shoqatat e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Turqi, Murati foli lidhur me rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive të reja të ofruara nga shteti turk në fushën e mësimit shqip.

Ai, po ashtu, i ftoi ata që të krijojnë një organ koordinues, i cili do të lehtësonte komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Problem kyç, që u shtrua nga ta, ishte çështja e marrjes së shtetësisë së Kosovës dhe barrierat që hasin në këtë proces. Ministri Murati u zotua se këtë çështje do ta trajtojë me institucionet kompetente, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë dhe sa më e drejtë për të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme