Ministri Peci zhvillon takim me homologen e tij kroate, Marija Vukovic

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Zagreb të Kroacisë, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci zhvilloi takim me homologen e tij në shtetin kroat, Ministren e Bujqësisë, Marija Vukovic.

Ministri Faton Peci shpalosi para znj. Vukovic gjendjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë dhe hapat konkret që janë ndërmarrë në zhvillim të sektorit.

“Njëherit i shpreha gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës kroate si në përmirësim të politikave zhvillimore ashtu edhe në plotësimin e kritereve të akreditimit për mekanizmat financiar të para anëtarësimit në BE (IPARD), duke qenë se pikësynim i yni është sigurimi i këtyre fondeve me qëllim të rritjes së përkrahjes financiare ndaj fermerëve tanë”, tha mes tjerash ministri Peci.

Me këtë rast, Ministri Peci e ftoi Ministren Vukovic që ta vizitojë Kosovën dhe të njihet nga afër me sektorin e bujqësisë në vendin tonë, si dhe të zyrtarizojnë qëndrimet e dyja palëve përmes nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit mes dy vendeve në një të ardhme të afërt. Ndërsa, në fund të takimit Ministri Peci në shenjë respekti i dhuroi disa nga produktet më të mira vendore dhe e siguroi ministren Vukovic se gjatë vizitës në Kosovë, do të ketë mundësinë njihet me shumë histori suksesi të prodhuesve dhe agro-përpunuesve kosovarë.

Të ngjashme