Ministri Reçica viziton Mitrovicën, pritet nga kryetari Bahtiri

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 16:43 | Nga

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me bashkëpunëtorët e tij ka vizituar sot qytetin e Mitrovicës.

Ai gjatë qëndrimit atje ka biseduar me përfaqësuesit e familjeve në asistencë sociale, lidhur me projektin për punësimin nga një anëtar të këtyre familjeve, njofton ministria.

Poashtu Ministri Reçica është pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtoresha e Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi.

“Temë e bisedës ndërmjet kryetarit Bahtiri dhe Ministrit Reçica ishin problemet e shumta sociale që ka Komuna e Mitrovicës, përkatësisht bashkërendimi i aktiviteteve për zgjidhjen e këtyre problemeve, pasi që të dy u dakorduan se gjendja sociale në Komunën e Mitrovicës është më e rënda në tërë Kosovën”, thuhet në kumtesë.

“Gjatë bisedës ministri Reçica, u njoftua edhe për procesin e ndarjes së banesave për familjet me gjendje të rëndë sociale në Stantërg, si dhe për gjendjen në ish– objektin e Qendrës për Punë Sociale, për ruajtjen e të cilit Komuna ndanë për çdo muaj shumën prej 1.600 euro, edhe pse kjo ndërtesë është nën menaxhimin e Ministrisë”.

Reçica i ka thënë Bahtirit se për ndërtesën e lartpërmendur ka një projekt që pritet të realizohet shumë shpejt, ndërsa që për ndarjen e banesave sociale në Stantërg ka shtuar se është mirë që nuk ka pasur probleme gjatë përzgjedhjes së përfituesve.

Pas mbarimit të bisedës në kabinetin e kryetarit, ministri Reçica, dhe kryetari Bahtiri, me bashkëpunëtorët kanë shkuar në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit ku ishin tubuar shumë qytetarë, familje të të cilëve janë përfituese të asistencës sociale.

Aty kryetari Bahtiri dhe Ministri Reçica kanë njoftuar të pranishmit për nismën e realizimit të projektit për zbutjen e problemeve sociale të qytetarëve, përkatësisht për krijimin e kushteve për punësim të nga një anëtari të secilës familje që jeton nga asistenca sociale.

“Edhe pse kemi rritur 20 për qind asistencës sociale ne e vlerësojmë se kjo nuk është e mjaftueshme që familjet përfituese të bëjnë jetë normale. Prandaj kemi iniciuar projektin për punësim të një anëtari të çdo familje në asistencë dhe për këtë arsye jam këtu në Mitrovicë për të biseduar me kryetarin Bahtiri për të folur lidhur me ketë projekt, i vili nuk mund të realizohet pa mbështetjen e Komunës, kompanive publike dhe bizneseve”, ka thënë Reçica.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme