Ministria e Drejtësisë: Janë bërë dy kërkesa për vizita familjare në Hagë

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Speciale i ka lejuar vizitat familjare për të paraburgosurit duke filluar nga 15 korriku.

E nga Ministria e Drejtësisë kanë dhënë detaje edhe mbi procedurat që do të ndiqen nga pala kosovare.

Genc Nimoni, shef i kabinetit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë në emisionin “Frontal” në T7, se deri më tani kjo ministri ka pranuar vetëm dy kërkesa për vizita.

“Tani mund t’ua konfirmoj se i kemi pranuar dy kërkesa zyrtare deri më tani për vizita familjare në Hagë. Ka kërkesa për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Vizita e parë është me datë 15 dhe 16 korrik. Do të takohen me nga tre familjarë. Gjithsej i kanë 12 vizita gjatë vitit. Pra çdo muaj nga një vizitë”, ka thënë ai në “Frontal”

Më tutje Nimoni tregoi se shteti do t’i ndihmojë edhe familjarët që e të paraburgosurve në Hagë, gjatë kohës sa ata qëndrojnë në Holandë.

Ai tha se do t’i mbështesin këta familjarë me mjete për qëndrim dhe për ushqim për tri ditë.

“Deri tani ka pasur masa anti-Covid dhe mendoj që deri më tani kjo ka qenë arsyeja se pse nuk kanë bërë ankesa. Ne i mbështesim ata familjarë me nga 80 euro për një ditë. Ka të drejtë deri në tri ditë të qëndrojë. U ndajmë para edhe për ushqim. Gjithçka është ligjore dhe në përputhje me ligjim”, deklaroi më tutje ai.

Ndër të tjera, Nimoni konfirmoi se tashmë është adresuar edhe çështja e pakove me gjëra esenciale, teksa shtoi se deri më tani dy të tilla janë dërguar në Hagë për të paraburgosurit.

“Adresimi i pakove esenciale ka filluar dhe janë adresuar. Tashmë dy të tilla kanë shkuar. Atje në koordinim me Ambasadën e Kosovës shkojnë pakot dhe çdo gjë funksion. Më nuk kemi ankesa”, tha ai.

Të ngjashme