Ministria e Infrastrukturës: S’ka autobus deri të hënën

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 21:42 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se transporti publik do të ndërpritet deri në përfundim të vikendit, gjegjësisht më 9 nëntor, në ora 05:00.

MI nëpërmjet një njoftimi në ‘Facebook’ ka kumtuar se, pas marrjes së masave të reja për parandalimin e transmetimit të coronavirusit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, është marrë vendimi edhe për pezullimin e transportit publik.

“Ju njoftojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin 01/41 të datës 06.11.2020, në pikën 2 të këtij vendimi ka pezulluar disa paragrafë, ndër to paragrafin 14 të vendimit 01/39 të datës 01.11.2020, me ç’rast pezullohet transporti publik i udhëtarëve deri të Hënën më 09.11.2020 në ora 05:00”.

Ministria iu ka bërë thirrje operatorëve për respektim të vendimit të qeverisë.

Përgjatë ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë publikoi vendimet e reja të cilat janë futur në fuqi nga ora 20:00 të premten, e do vlejnë deri në 05:00 të së hënës.

Në vendim përfshihen mbyllja e gastronomisë, supermarketeve, qendrave tregtare dhe të gjitha bizneset e tjera.

Ndërkaq, të hapura do mbesin furrat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompat e benzinës, bashkë me institucione private e publike për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.

Të ngjashme