Ministria e Mbrojtjes: Nëse kërkohet nga SHBA, FSK-ja është e gatshme të dërgojë trupa në Ukrainë

Prishtinë | 24 Shk 2022 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në njoftimin e saj, kjo ministri ka bërë të ditur se janë duke i kushtuar vëmendje maksimale situatës kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.

Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se kanë paralajmëruar edhe më herët qytetarët që Rusia, e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë me aktivitetet hibride për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur këtu deklaratën dezinformuese të Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, i cili kishte thënë se në Ukrainë kanë shkuar edhe kosovarë të gatshëm për luftë.

“Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ata i kanë bërë thirrje edhe një herë qytetarëve që të kenë kujdes ndaj lajmeve të rrejshme, trillimeve dhe inskenimeve të mundshme.

Tutje, ministria ka thënë se nuk ka arsye që të organizohen struktura jo-shtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje ndaj Ukrainës, por kanë theksuar se nëse SHBA kërkon angazhimin e FSK-së, ata do të jenë të gatshëm të ofrojnë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale.

“Prandaj, nuk kanë asnjë arsye të organizohen në struktura joshtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje të tillë, traditë kjo e njohur pikërisht nga vet qarqet ruse dhe serbe për veprime me mekanizma e struktura paramilitare dhe mercenare famëkeqe të njohura tani më për krime monstruoze në Ballkan, viktima të së cilave janë edhe vet populli ynë liridashës e paqedashës. Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme. Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes, me vëmendje maksimale jemi duke monitoruar situatën kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.

Ministria e Mbrojtjes, me mekanizmat tanë, monitorojmë pandërprerë, të gjitha dukuritë dhe proceset rajonale e globale, si dhe synimet dhe aktivitetet e akterëve armiqësor që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë nga jashtë.

Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intenzivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë.

Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj.

Prandaj qytetarë të dashur,

Lajmet e rrejshme, trillimet dhe inskenimet e mundshme, janë element që zbatojnë strukturat ruse dhe ato të sponzorizuara nga ta, në vazhdimësi edhe në situatën aktuale.

Prandaj kërkojmë nga ju që të mos bieni viktimë e tyre, por të merrni parasysh vetëm informacionet zyrtare nga institucionet relevante shtetërore të Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës, dhe qytetarët e saj në përgjithësi, përmes përfaqësuesëve të saj kanë shprehur hapur dhe në mënyrë të vendosur mbështetjen për popullin e Ukrainës, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Prandaj, nuk kanë asnjë arsye të organizohen në struktura joshtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje të tillë, traditë kjo e njohur pikërisht nga vet qarqet ruse dhe serbe për veprime me mekanizma e struktura paramilitare dhe mercenare famëkeqe të njohura tani më për krime monstruoze në Ballkan, viktima të së cilave janë edhe vet populli ynë liridashës e paqedashës.

Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.

Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO.

Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozisht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

Për arsyen e njëjtë, gjithashtu vlerësojmë se është koha që kërkesa jonë e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.

Ky veprim do të jetë edhe një vlerë e shtuar, krahas vlerave që bartë NATO, dhe përkon me synimin tonë kryesor nacional, në aleancë të përjetshme me SHBA-në.

Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të qëndrojnë fuqishëm së bashku në anën e duhur të historisë.

Të ngjashme