Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të përballet me situatën e zjarreve

Prishtinë | 06 Gus 2021 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme me të gjithë mekanizmat e saj, tash e shtatë ditë po vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht po përballet me zjarrin në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të komunës së Pejës.

Në këtë incident janë të angazhuara me kapacitete të plota të gjitha Institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së. Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuara: Ekipet e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, Autoritetet e Parkut dhe Ndërmarrjet Publike. Po ashtu për ndihmë në shuarjen e zjarreve nga ajri është angazhuar edhe KFOR-i.

Me këtë rast gjatë këtyre ditëve, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka vizituar disa vatra të zjarrit,  në veçanti atë të Shtupeqit, për të parë nga afër zhvillimet në terren dhe për të ofruar mbështetje për forcat të cilat po merren me luftimin e zjarrit tash e disa ditë.

Si rezultat i përkushtimit të drejtpërdrejtë në menaxhimin sa më të mirë të situatës së zjarreve në terren edhe anëtarët e kabinetit të MPB-së, kanë vizituar  disa vatra zjarri si ato në Shtupeq, Mushtisht, Sallagrazhdë, si dhe në disa lokacione tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme, ju bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes që të mos jenë shkaktarë të ndezjeve të zjarreve.

Të ngjashme