Ministria e Shëndetësisë i mbështet kërkesat e grevistëve

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka reaguar në lidhje me grevën e sotme të profesionistëve shëndetësorë.

Sipas Ministrisë, e kuptojnë arsyen e grevës së thirrur nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës  si dhe kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga ana e profesionistëve shëndetësor.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë e përkushtuar dhe ka punuar bashkë me FSSH-në që në kuadër të Projektligjit për pagat në sektorin publik në Kosovë, të përfaqësojë dhe adresojë kërkesat për rritje të pagave në nivelin që profesionistët shëndetësor e meritojnë, duke e argumentuar pse duhet që punëtorët shëndetësor të trajtohen në mënyrë shumë më të dinjitetshme se deri tani’, thuhet në njoftimin e MSH-së.

“MSh qëndron prapa këtyre kërkesave dhe argumenteve të prezantuara në Qeveri dhe në Projektligjin për pagat dhe beson që përgjigja për to do të jetë pozitive nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit, me qëllim që sistemit shëndetësor t’i jepet shtytje në reformën e tij, ndërsa profesionistit shëndetësor vendi i merituar brenda këtij sistemi dhe shoqërisë në përgjithësi”, shton njoftimi.

Ministria e Shëndetësisë, thotë se është e përkushtuar që të punojnë të gjithë së bashku për ta tejkaluar këtë situatë, në mënyrë që të mos dëmtohen pacientët tanë për të marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore.

Përndryshe, që nga ora shtatë e mëngjesit të së hënës, punëtorët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovë kanë filluar grevën 24 orëshe.

Ata po kërkojnë ngritjen e pagave për mjekët dhe punëtorët teknikë, përmirësimin e kushteve si dhe implementimin e plotë të Kontratës Kolektive Sektoriale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme