Ministria e Shëndetësisë ua sqaron procedurat 14 personave që refuzuan ushqimin në karantinë, nesër iu bëhen testet

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

14 persona të cilët gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve njoftuan sot se kanë refuzuar ushqimin mëngjesin e sotëm, si shenjë pakënaqësie që nuk po testohen.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë u kanë sqaruar se testimi i tyre sipas rregullave të karantinës duhet të bëhet nesër.

Një prej të karantinuarve, Bedridin Garaj, tha se i kanë ngatërruar procedurat, por se tashmë e kanë të qartë punën e testimit.

Ndryshe, para dy ditësh, ata i kishin dërguar edhe një letër Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, përmes së cilës kanë kërkuar që të lirohen, sikurse që janë liruar 19 persona të tjerë nga kjo qendër, për arsye që ata i konsiderojnë të dyshimta.

“Nga ana tjetër një numër i udhëtarëve janë liruar, për arsye që ne i konsiderojmë të dyshimta (19 persona). Andaj, ne kërkojmë që gjatë ditës së nesërme të gjithë të testohemi për COVID-19, nëse rezultojmë negative të lirohemi. Në të kundërtën konsiderojmë që MSH ka vepruar njëanshëm dhe detyrohemi të marrim masa të tjera”, thuhej në letrën e tyre drejtuar Vitisë.

Të ngjashme