Ministria fsheh shumat me të cilat ka vlerësuar projektet kulturore

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

E kritikuar vazhdimisht për procesin e vlerësimit të projekteve kulturore e artistike të cilat i financon, Ministria e Kulturës e ka zbehur edhe më transparencën në raport me mbështetjen për atë që njihet si skena e pavarur kulturore. Kësaj radhe nuk i ka bërë publike as shifrat financiare me të cilat do të përkrahen 410 aktivitete.

Për dallim nga viti i kaluar, kur MKRS-ja kishte përkrahur 364 projekte kulturore e artistike me 890 mijë euro, këtë vit me 750 mijë euro ka vendosur që ta rrisë numrin e mbështetjeve për 46 aktivitete. Pos që në raport me vitin 2017 është vonuar për një muaj e gjysmë me hapjen e konkursit e me shpalljen e rezultateve, kësaj radhe ky institucion nuk ka bërë publike as vlerat financiare që janë përcaktuar pas vlerësimit të projekteve.

“Publikimi i rezultateve është bërë në përputhje me Rregulloren dhe ajo nuk e parasheh publikimin me vlerat financiare. Procesi i mëtutjeshëm është që në një afat prej disa ditësh organizatat që kanë aplikuar duhet t’i sjellin dëshmitë që nuk kanë obligime financiare tek Administrata Tatimore e Kosovës. Pa u plotësuar dokumentacioni ato janë rezultate preliminare”, ka thënë Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi.

Sipas Ligjit të buxhetit të këtij viti, në kategorinë “Përkrahja për kulturën” nëpërmjet së cilës MKRS-ja financon aktivitetet e pavarura, ka të njëjtin buxhet sikurse për vitin që shkoi. Kanë qenë dhe janë fiks 1 milion e 67 mijë e 851 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme