Ministrja e Arsimit dhe ajo e Drejtësisë vizitojnë shkollat në Gjakovë, flasin për parandalimin e dhunës

Prishtinë | 07 Dhj 2022 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në familjë”, kanë vizituar dy shkolla në Gjakovë.

Nagavci, përmes një postimi në Facebook, shkroi se shkolla është vendi më i mirë ku mund të punohet në edukim si dhe parandalim të dhunës.

“Dhuna e çfarëdo lloji është e papranueshme dhe duhet të raportohet. Shkolla është vendi më i mirë ku mund të punohet në edukim dhe parandalim të dhunës. Në kuadër të aktiviteteve me të cilat po shënohet fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje”, me ministren Albulena Haxhiu qëndruam në dy shkolla të Gjakovës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo tha se i ka njoftuar nxënësit për fushatat vetëdijesuese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës në baza gjinore.

“Nxënësit i informova për veprimet e MAShTI-t, përfshirë fushatat vetëdijësuese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës në baza gjinore. Po ashtu i porosita që të raportojnë dhunën te mësimdhënësit dhe prindërit e tyre”, ka shtuar ajo.

Nagavci tha se të gjithë bashkë duhet të kujdesemi që të respektohen të drejtat e secilit dhe të parandalohet dhuna, veçanërisht ajo ndaj grave dhe vajzave.

Të ngjashme