Ministrja Hajdari: Mos bëni panik, kemi rezerva shtetërore

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 13:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka  bërë thirrje që mos krijohet panik sepse ka mjaftueshëm rezerva ushqimore, raporton Ekonomia Online.

“Dua të ju konfirmoj qytetarëve se rezervat shtetërore të mallrave janë të ruajtura në depot tona, të cilat janë të kompletuara nga aspekti sasior dhe cilësor. Kryesisht rezerva ka për mallrat si gruri, mallrat agro ushqimore, nafta dhe barnat. Jemi në kontakt me furnizuesit e rezervave shtetërore. Situata është nën kontroll, nuk duhet të jemi në një situatë që të kemi panik”, tha ajo.

Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që kompanitë publike të cilat ofrojnë shërbime publike të punojnë dhe qytetarët të kryejnë obligimet.

“Dua të potencoj, është e rëndësisë së madhe që ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbime esenciale të kryejnë  këto shërbime dhe në këtë aspekt jemi në kontakt të vazhdueshme me KEDS, KEK, KOSTT, ndërmarrjet shërbyese të ujit. Ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbimet komunale dhe esenciale të kryejnë obligimet edhe qytetarët, sepse në paguhen rrogat, duhet të kryhen edhe obligimet. Ju lutem që të mos krijojmë ndonjë hendek sepse kjo krijon probleme në funksionim të ndërmarrjeve”, tha ajo.

Hajdari ka folur edhe për angazhimet e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve,  Inspektoratit të Tregut dhe të Punës. Ajo ka thënë se i kanë pranuar 1 mijë thirrje me ankesa kryesisht për rritje të çmimeve të produkteve ushqimore.

“ Kemi pranuar 1 mijë thirrje të cilat i janë adresuar institucioneve relevante të respektimit të ligjit. Kryesisht  ankesat kishin të bënin me ngritjen e çmimeve në mënyrë të menjëhershme dhe pa kritere, në veçanti ato ushqimore”, tha ajo.

Sipas ministres Hajdari ka thënë se Inspektorati i tregut ka kryer inspektime në 900 subjekte afariste. Nga këto janë gjetur  30 shkelje kryesisht të natyrës së ngritjes së çmimeve.

“Për të adresuar këto  shkelje janë marrë masa sipas legjislacionit në fuqi. Sa i përket  mbikëqyrjes së tregut të punës ka kryer 350 inspektime, shkeljet janë hasur kryesisht në mungesë të mjeteve personale mbrojtëse, pastaj në dezinfektim të hapësira dhe dendësi të punëtorëve duke mos respektuar distancën. Për të adresuar këto shkelje janë marrë masa sipas legjislacionit në fuqi”, tha ajo.

Të ngjashme