Ministrja Hajdari nuk jep datë se kur do të kompletohet Bordi i Autoritetit të Konkurrencës

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 14:18 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti tha se Projektligji për mbrojtjen e konkurrencës, ka për qëllim ka përafrimin e standardeve me atë të BE-së, raporton Ekonomia Online.

“Ky projektligj zbatohet për të gjitha format e shtrembërimit të konkurrencës në ndërmarrjet e territorit të Kosovës dhe zbatohet edhe ndaj ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe kanë karakterin e një monopoli. Çështja kryesore është përafrimi i pjesshëm i konkurrencës me ato të Bashkimit Evropian. Qëllimi kryesor është përmirësim i kornizës ligjore si dhe mbrojtja e konkurrencës dhe synohet të arrihet përputhshmëri me standardet e BE-së, që burojnë nga dokumentet strategjike. Ky projektligj i ndihmon Kosovës në mbrojtjen më të mirë të konkurrencës dhe përafron bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës”.

Hajdari tha Projektligji është në përputhje me opinionin buxhetor dhe atë ligjor.

“Ky projektligj kur i shkon për aprovim qeverisë miratohet në përputhje me rregulloren, me opinioni buxhetor dhe atë ligjor nga zyra e kryeministrit, andaj është i domosdoshëm shqyrtimi dhe procedimi më tutje”, tha Hajdari.

Hajdari nuk ka treguar kur do të kompletohet Bordi i Autoritetit të Konkurrencës, pasi që tha se janë duke u marr me problemet e trashëguara.

“Kemi pasur urgjenca të problemeve që kanë qenë me pritshmëri, me kërcënime të proceseve me tenderët e paligjshme, më shumë po merrem me problemet e trashëguara”.

Deputeti i VV-së, Armend Muja ka pyetur Hajdarin, se cilat kanë me qenë ndërhyrjet që i adresojnë problemet e së kaluarës.

“Sa i përket ligjit edhe ky po mendoj që është një plotësim ndryshimi i ligjit ekzistues dhe cilat kanë qenë ndërhyrjet dhe që i adresojnë problemet e së kaluarës”.

Ndërsa, kryetari i komisionit, Ferat Shala ka pyetur ministren Hajdari se kur mund të jetë funksional Bordi i Autoritetit të Konkurrencës.

“Nga qershori jemi pa Bord të Autoritetit të Konkurrencës, kur mund ta kemi bordin pse jemi kaq vonë, që po e pamundëson punën normale”.

Të ngjashme