Ministrja Haradinaj-Stublla uron Shqipërinë dhe shqiptarët për Ditën e Flamurit

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, uron shqiptarët, kudo që jetojnë, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.  

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, Ministrja Haradinaj-Stublla ka uruar108 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, duke shprehur urimet më të përzemërta për popullin e Republikës së Shqipërisë.

“Data 28 nëntor është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve pasi shënon çlirimin e Krujës nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në vitin 1443 si dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912. Kjo ditë do të kremtohet gjithmonë me dinjitet nga të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që jetojnë në trojet e tyre apo nëpër botë”.

Duke kujtuar sfidat e rrugëtimit të shtetndërtimit të Republikës së Shqipërisë, Kryediplomatja Haradinaj-Stublla ka vlerësuar arritjet e shtetit shqiptar në 108 vite, e në veçanti anëtarësimin në NATO, që sipas saj, ka garantuar sigurinë kombëtare dhe krijuar mundësinë për rritjen e rolit të Shqiptarëve në rajon.

Në këtë frymë, Ministrja e Jashtme ka përmendur edhe raportet vëllazërore ndërmjet dy shteteve, të cilat sipas saj do të vazhdojnë duke u thelluar në të gjitha nivelet shtetërore, me anë të jetësimit të marrëveshjeve të shumta bilaterale në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët shtetëror e kombëtar.

Lidhja Kosovë – Shqipëri është natyrore dhe duhet vazhdojë të jetë e tillë, përmes mbështetjes së pandërprerë midis dy shteteve tona ndaj njëra-tjetrës. Për hir të historisë që ndajmë si popull shqiptar, Republika e Shqipërisë duhet të qëndrojë gjithnjë pranë Republikës së Kosovës duke përparuar të njëjtë drejt qëllimeve të përbashkëta për integrim rajonal dhe Euro-Atlantik. Shqipërinë e Kosovën i bashkon një komb dhe një flamur! Gëzuar 28 Nëntori, Shqiptarë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme