Ministrja Haxhiu për Masakrën e Dubravës: Përgatitja e padisë për gjenocid do të jetë në fokus të punës sonë

Prishtinë | 22 Maj 2021 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e shënimit të 22 vjetorit të masakrës nga më të tmerrshmet të kryera gjatë periudhës së fundit të luftës për çlirim nga pushtuesit serbë.

Atë ditë, u hodh një arsenal i tërë mbi trupat e të burgosurve shqiptarë që po mbaheshin si pengje, të cilët deri atëherë po torturoheshin në mënyrë tërësisht çnjerëzore.

Mbi njëmijë të burgosur të cilët më shumë ishin pengje lufte, ishin dëshmia tjetër e një persekutimi të pandërprerë ndaj shqiptarëve, pa lirinë për të jetuar si të tjerët, dhe pa të drejtën për të qenë të barabartë.

“Sikur kjo të mos mjaftonte, për Serbinë u dashka të vriteshim. Kjo ishte Serbia gjer në fundin e luftës 1999, e cila edhe sot, ende nuk ndihet përgjegjëse e aq më pak e penduar për krimet e kryera.

Institucioneve të Republikës së Kosovës i ka takuar tash e 20 vite dhe gjithsesi që i takon që drejtësia e vënë për krimet e bëra gjatë luftës, të vihet në vend duke evidentuar zyrtarisht këto krime”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë në Facebook.

Tutje, siç njofton ky dikaster, ministrja Haxhiu bëri të qartë se në këtë drejtim, duke mos u vonuar më shumë, është formalizuar edhe grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për themelimin e Institutit për Krimet e Kryera në Kosovë. Ky institut për evidentimin e krimeve të kryera në njërën anë, dhe përgatitja e padisë për gjenocid në anën tjetër do të jenë në fokus të punës sonë si Qeveri dhe Ministri.

Në 22 vjetorin e masakrës së Dubravës, u bë edhe zbulimi i lapidarit në kujtim të të rënëve dhe të mbijetuarve të kësaj masakre e që do të jetë edhe një dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Të ngjashme