Hoxha: Presim raportin zyrtar, të mos paragjykohet rasti

Prishtinë | 06 Nën 2016 | 19:03 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, sot kanë mbajtur një konferencë për media në Qendrën e Paraburgimit në Prizren lidhur me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A.D.

Gjatë kësaj konference, Ministrja Hoxha fillimisht ngushëlloi familjen dhe te afërmit me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe me këtë rast ftoi mediat, qytetarët dhe opinionin që të respektojnë punën e institucioneve të cilat po merren me rastin e ndriçimit të rrethanave të vdekjes duke çmuar pavarësinë e secilit institucion si dhe kompetencat e tyre.

“Që nga dita e djeshme, Ministria e Drejtësisë dhe organet e tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryejë autopsinë”, theksoi ministrja Hoxha.

Ajo me tej shtoi se në kuadër të mandatit të saj, shpreh përkushtimin e plotë dhe gatishmërinë për sqarimin e rastit, me transparencë dhe ftoi që të mos bëhen paragjykime lidhur me rastin. Ministrja Hoxha theksoi se raporti do të jetë publik dhe transparent.

“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha Hoxha.

Ministrja Dhurata Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë do të japë informacione zyrtare dhe ato të cilat nuk e pengojnë hetimin dhe shkaktimin e çfarëdo paqartësie lidhur me rastin tragjik.

Ministrja Hoxha dhe Kryeprokurori Lumezi më tej u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve të cilët ishin pjesëmarrës në këtë konferencë.

Të ngjashme