Ministrja Hoxha takon të rinjtë e Luginës së Preshevës: Krenare me vlerat e të rinjve nga Lugina

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim sot, të rinjtë e Luginës së Preshevës, me ç’rast ka diskutuar për sfidat e të rinjve si njohja e diplomave, kuotat e ulëta të regjistrimit të studentëve nga Lugina në Universitetin e Prishtinës dhe çështjet tjera.

Ministrja ka potencuar se Kosova është shembull për respektimin e të drejtave të komuniteteve, shembull të cilin duhet ta ndjek edhe Serbia.

Ja postimi i plotë i Ministres Hoxha në fb:

“Takimi me të rinjtë e Luginës së Preshevës, ishte rast për të diskutuar për vlerat e rinisë tonë, për kapacitetet në të gjitha fushat, krahasuar me bashkëmoshatarët e vet nga vendet e BE-së.

Njohja e ndërsjellë e diplomave, kuotat e ulëta të pranimit të studentëve nga Lugina në Universitetin e Prishtinës, si dhe vështirësitë e licencimit të profesionistëve, ishin disa nga shqetësimet që diskutuam me të rinjtë e Luginës. Këto brenga tashmë janë zgjidhur në të gjitha vendet e rajonit. Ne këtë shqetësim, e kemi përcjell te instancat e BE-së, në diskutimet për fqinjësinë e mirë dhe provat e kësaj fqinjësie të mirë nga ana jonë.

Republika e Kosovës është shembull për këtë. Kështu do të dëshironim që të veprojnë edhe fqinjët tanë, në rend të parë Serbia, kur dihet se studentët nga Lugina e Preshevës, kanë probleme edhe me njohjen e diplomave nga Kosova apo Shqipëria që kanë validitet në tërë botën, por jo edhe në Serbi.

Të rinjtë tanë në Luginë, në këtë pjesë të Ballkanit, duhet të gëzojnë të gjitha të mirat që ju takojnë, me mundësi të gjetjes së fushës së interesimit si aftësim për punë konform kërkesave të tregut global, në shkencë, art, muzikë, sport dhe aktivitete rinore.

Krenare me vlerat dhe vizionin euro-atlantik të të rinjve të Luginës!”

Të ngjashme