Ministrja Nagavci premton se do ta ketë prioritet çështjen e edukimit në fëmijërinë e hershme

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur në një takim drejtoreshën e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi si dhe dy anëtarët e këtij koalicioni, Remzije Krasniqi dhe Mevlude Murtezi.

Ministrja i ka falënderuar ato për kontributin e koalicionit në fëmijërinë e hershme si dhe ka ofruar mbështetjen e saj në këtë drejtim.

Ajo është zotuar se do ta ketë prioritet çështjen e edukimit në fëmijërinë e hershme si dhe programet që ofrohen në këtë moshë.

Për këtë, ka premtuar se do të formohet një grup punues i cili do ta hartojë një strategji se si të adresohet kjo çështje dhe të dilet me rekomandime konkrete.

Po ashtu, ministrja Nagavci është zotuar se do të angazhohen që të rritet pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin e hershëm.

“Ndërkaq, përfaqësueset e Koalicionit për mbrojtjen e fëmijëve shprehen shqetësim në lidhje me kurrikulat në nivelin parashkollor si dhe përmbajtjen e teksteve që sipas tyre, nuk përshtaten me moshën. Kërkesë e tyre ishte rishikimi i kurrikulës 0-5 vjeç dhe miratimi i ligjit për fëmijërinë e hershme duke i marrë parasysh edhe rekomandimet e KOMF-it.”

“Ministrja premtoi se do të angazhohen në adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e kushteve për fëmijët në edukimin e hershëm”, thuhet në njoftimin e MASh.

Të ngjashme