Miqësitë e paharruara të luftës

Prishtinë | 21 Pri 2019 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Lufta u bë shkas që familja Guri nga Kukësi dhe ajo Mustafa nga Mushtishti t’i ndajnë bashkë mërzitë dhe gëzimet e njëra-tjetrës. Në luftë dhe në paqe.

Për këngët e gëzimeve familjare kujdesen me rend e pa rend ndonjëra prej tetë motrave këngëtare, shkruan Koha Ditore.

Kjo miqësi ndërmjet familjeve pa kurrfarë lidhjeje farefisnore, rrënjët i ka në fillim të fushatës së bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999, kur forcat serbe dëbuan më shumë se shtatëqind mijë shqiptarë të Kosovës për Shqipëri. Mbi 440 mijë u dëbuan në Maqedoninë Veriore. Dhjetëra e mijëra të tjerë në Mal të Zi.

Kuksiania Kadire Guri, 86 vjeçe, kujton se si i kishte larguar familjarët nga banesa prej rreth tetëdhjetë metrash katrorë në katin e pestë në qendër të Kukësit, për t’iu lëshuar vend dhjetëra refugjatëve nga Kosova. Nuk u referohet me “refugjatë”, por si “miqtë nga Kosova”.

“…në fakt, nuk ishin t’u knue, po t’u vajtue Kosovën…”

“Kur përfundoi lufta, jemi ndarë me lot të dyja palët. U kam thënë: ‘Jemi miq lufte’ dhe miqtë e luftës janë të paharruar”, kujton plaka Guri në po të njëjtën banesë.

Pos dëshmive të luftës, në banesë edhe këndohej. Motrat Mustafa ia thoshin këngës me çiftelinë e djalit të madh të Lufti Gurit, Qemalit.

“Në darkë vajzat këndonin. Këndonin këngë lufte. Sahidja e Ela, në fakt, nuk ishin t’u knue, po t’u vajtue Kosovën që kishin lanë. Ato knonin, ne të tjerët qanim”, kujton ajo.

Prej fluksit të madh prej mbi shtatëqind mijë refugjatësh në Shqipëri, rreth pesëqind mijë u vendosën në rrethinën e Kukësit. Në mesin e tyre edhe familjet e Osman e Mehmet Mustafës. Mbi 20 mijë të përndjekur nga rrethinat e Suharekës dhe të Rahovecit ishin dëbuar në kuadër të operacionit famëkeq të Slobodan Milosheviqit, “Patkoi” që synonte zbrazjen e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme