Miratohet Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për Qasje në Dokumente Publike dhe Plani i Veprimit për Cilësinë e Ajrit

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 16:17 | Nga

Në hapje të mbledhjes së sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj përmes një deklarate ka dënuar çdo formë të incidenteve të dhunshme të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, si dhe ka kërkuar hetimin dhe dënimin e akterëve të këtyre incidenteve.

Po sot, Qeveria ka miratuar vendimin për miratim të rekomandimeve të Komitetit Ndërministrorë për projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës që të nënshkruaj aneks marrëveshjen për zgjatjen e afatit të përfundimit të këtij projekti deri më 31 dhjetor 2018.

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Kosovës për të paraqitur mendimin për Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për automjete. Mendimi i Qeverisë përbëhet nga deklarata e ndikimeve buxhetore, deklarata e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe opinionin e Ministrisë së Infrastrukturës. Opinioni i Ministrisë së Infrastrukturës nuk e përkrahë miratimin e këtij projektligji, për heqjen e kufizimit të vjetërsisë në importin e veturave, me arsyetimin se përveç ndikimeve në mjedis, veturat e vjetra kanë ndikim negativ edhe në sigurinë e komunikacionit.

Miratimin e Qeverisë e kanë marrë edhe Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Projektligji për Qasje në Dokumente Publike.

Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit në Republikën e Kosovës. Përmes këtij Projektligji përcaktohen edhe përgjegjësitë e institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave dhe qasjes në dokumente publike. Projektligji është në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ndërsa Projektligji për Qasje në Dokumente Publike garanton të drejtën e qasjes, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente dhe informata publike të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike në Republikën e Kosovës. E drejta e qasjes në dokumente publike është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave dhe në sigurimin e demokracisë dhe zhvillimit të vendit. Edhe ky projektligj është në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Rregullorja për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit, pas shqyrtimit ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar. Ndryshimet prekin Zyrën për Çështjet të Komuniteteve dhe janë në funksion të përmbushjes së mandatit dhe kontributit të koordinimit dhe përkrahjes së përpjekjes së Qeverisë për të zbatuar kornizën ligjore për të drejtat e komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka themeluar komisionin disiplinor për shqyrtimin e përgjegjësisë së drejtorit të përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Komisionin disiplinor për shqyrtimin e përgjegjësisë së Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Zhvillimin e Bujqësisë.

Vazhdimi i mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe mandatit të Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit Kosovarë të Administratës Publike, ka marrë miratimin nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Vazhdimi i mandatit, sipas vendimeve të miratuara nga Qeveria, zgjatë për tri vite.

Edhe vendimi për shpalljen e Zonës me interes të veçantë publik dhe ekonomik për realizimin e themelimit të Zonës Ekonomike në Malishevë, në Zonën Kadastrale Banjë, në Zonen Kadastrale Bellanicë dhe në Zonen Kadastrale Senik, është miratuar nga Kabineti qeveritar. Kjo zonë ka një pozitë të mirë gjeografike dhe me mundësi të zhvillimit industrial, bujqësor. Në këtë zonë mund të zhvillohen projekte investive për bizneset e mesme dhe të vogla, si dhe investime të mëdha, të cilat mund t’i ofrojnë dhe japin mundësi të reja të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Plani i veprimit për cilësinë e Ajrit 2018-2020 është aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Plani synon zhvillimin dhe zbatimin e instrumenteve të caktuara për ngritjen e cilësisë së jetës duke siguruar bazën e përmirësimit të cilësisë së ajrit. Plani synon edhe sigurimin e kornizës për mbrojtje dhe zvogëlim të ndotjes së ajrit në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian. Kjo synohet të arrihet përmes:

1. Mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të popullatës;

2. Angazhimi i Qeverisë, industrive dhe individëve në mbrojtjen e cilësisë së ajrit;

3. Sigurimi i kornizës strategjike për ndërmarrjen e iniciativave për një ajër të pastër në bashkëpunim me partnerët lokal dhe ndërkombëtar, institucionet shkencore dhe shoqërisë civile.

4. Përpjekjes për përmirësimin e mundësive të performancës dhe efiqiencës

5. Identifikimit të zonave dhe çështjeve me fokus special.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rialokim të mjeteve buxhetore të kësaj ministrie nga projekti “Bashkëfinancimi me donatorë për skemën e granteve bazuar në performancën komunale” në përputhje me katër marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruar nga MAPL, donatorët dhe kryetarët e komunave Ferizaj, Vushtrri dhe Dragash.

Dy vendime preliminare të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi rrugës Prishtinë-Pejë dhe zgjerimi i rrugës nacionale, Hyrja në Gjilan, janë miratuar në mbledhjen e sotme.

Na parim ka marrë miratimin e Qeverisë edhe lidhja e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit për promovimin dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Koncept dokumenti për statusin e forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Koncept dokumenti analizon mënyrën e rregullimit në të ardhmen të statusit, procedurat e hyrje daljeve, qëndrimit të përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka emëruar zëvendësdrejtorin e Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror dhe drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar me tërheqjen e platformës së Qeverisë për dialog me Beogradin nga shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës. Kjo është bërë me qëllim që subjekteve dhe akterëve politikë në Kosovë t’ju jepet kohë dhe hapësirë në debatin për gjetjen e qasjes më të mirë ndaj kësaj teme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme