Mirëpritet vaksinimi i mësimdhënësve në Shqipëri, SBAShK-u: Ta ketë prioritet edhe Kosova

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 14:32 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se kanë mirëpritur lajmin që pas mantelbardhëve edhe mësimdhënënësit kosovar do të mund të vaksinohen në Shqipëri.

Madje, Jashari ka treguar se ata kanë kërkuar një takim brenda kësaj jave me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për të diskutuar rreth çështjes së vaksinimit të mësimdhënësve.

“Deklarata që u bë nga kryeministri shqiptar se ka gatishmëri që karshi mantilbardhëve të ndaj vaksina edhe për punëtorët e arsimit. E kemi pritur me entuziazëm dhe ndihemi krenar dhe publikisht e kemi falënderuar me komunikatën e djeshme. E kemi bërë publike se ne të hënën i kemi dërguar një letër ministrit Vitia për një takim pikërisht për të biseduar për çështjen e vaksinimit të mësimdhënësve pa e pasë lajmin nga Shqipëria. Ende nuk jemi takuar me ministrin Vitia. Besoj që do të takohemi këtë javë dhe uroj që deklaratë e kryeministrit Rama të kthehet në vepër edhe pse si proces do të jetë i vështirë ngase sektori i arsimit ka numër bukur të madh të punëtorëve dhe udhëtimi deri në Shqipëri do të paraqet probleme shtesë që besoj që Qeveria e Kosovës do të gjejë një zgjidhje”, është shprehur ai.

Po ashtu Jashari ka thënë se vaksinimi i mësimdhënësve duhet të jetë prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që një gjë e tillë do të ofronte siguri që mësimi të vazhdojë të mbahet në shkolla.

“Është një lajm i mirë dhe ne që moti kemi kërkuar që me të filluar vaksinimi edhe në Kosovë sektori i arsimit të jetë prioritet, jo për të qenë të privilegjuar por edhe instituti i shëndetit publik edhe Ministria e Shëndetësisë edhe MASh e kanë vërejt me arsye se sektori i arsimit është nga më të prekurit dhe kemi konsideruar se me vaksinimin e punëtorëve të arsimit do të krijohet një siguri shtesë që mësimin ta mbajmë në shkolla ashtu siç është kërkesë edhe e SBAShK-ut dhe prindërve. Konsiderojmë që me vaksinim do të kemi një siguri më të madhe dhe mësimdhënësit do të jenë më të mbrojtur dhe me këtë do të jepet mundësia që mësimin pas këtij pushimi ta vazhdojmë në shkolla dhe ta kryejmë gjysmëvjetorin e dytë ashtu siç është kërkesë e të gjithëve”, ka shtuar ai.

Jashari ka folur për EO edhe në lidhje me pushimin pranveror të shkollave duke njoftuar se mësimi i humbur do të kompensohet.

“Kishte debate edhe në Qeverinë e shkuar dhe madje gati ishte sjellë një vendim që të ketë një ndërprerje. Ata nuk e quanin pushim por në çastet e fundit Komuniteti për Pandemi vendosi ndryshe, nga ana tjetër ne kishim një takim njohës me ministrinë dhe ia uruam detyrën. Taskforca brenda MASh-it e analizoi mirë kërkesën apo idenë e ministrës Nagavci që të shkojmë në pushim pranveror. Besoj se ajo e ka thënë se ishte kërkesë e prindërve dhe fëmijëve. Arsyeja është që të kemi një pushim e aq më tepër, opinioni nuk duhet të shqetësohet se do të humbin ditë mësimi ngase në javën e ardhshme janë dy festa që ashtu kështu ishte dashtë të respektohen”, tha tutje ai.

“Janë në pyetje tre ditë. Taskforca brenda ministrisë ku ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi ynë janë dakorduar që ditët që janë të shënuara si të humbura të kompensohen dhe kjo i ka mbetur komunave qoftë të shtunave apo ndonjë ditë të fundit shkollor. Këtu nuk ka konsteste çdo gjë do të shkojë në rregull, ashtu siç vendosin komunat ne nuk do të reagojmë, pra mësimin e humbur ata e kanë vlerësua që janë diku shtatë ditë. Do të gjejmë zgjidhje dhe do t’i zëvendësojmë”, ka thënë ai.

Të ngjashme