Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon forum rinor mbi të drejtat e njeriut

Prishtinë | 23 Sht 2019 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Nën organizimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot më 23 shtator 2019 do të fillojë punimet në Prishtinë forumi rinor katër-ditor i titulluar “Qasja e të rinjve në të drejtat e njeriut”.

Ngjarja do të mbledhë të rinj nga radhët e komuniteteve, besimeve fetare e sfondeve gjuhësore të ndryshme në Kosovë.

“Rreth 90 pjesëmarrës të rinj, bashkë me folës të ndryshëm nga organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe struktura lokale politike, do të reflektojnë mbi mënyrat e fuqizimit të rinisë në funksion të krijimit dhe ruajtjes së shoqërive demokratike stabile.

Gjatë katër ditëve sa do të zgjasë forumi, do të mbahen tri seanca plenare mbi fuqizimin e lidershipit tek të rinjtë, arritjen e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjen e shtuar në procese vendimmarrëse. Në vijim të seancave plenare, pjesëmarrësit do të ndahen në tri grupe të fokusuara ku do shtjellohen sfidat e të drejtave të njeriut në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit; të drejtat e njeriut, toleranca dhe liria e besimit; si dhe të rinjtë dhe siguria”, thuhet në njoftimin për media.

Fjalime hyrëse do të mbajnë Kilian Wahl, zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dhe Stefano Gnocchi, Këshilltar për Komunitetet Pakicë dhe Trashëgimi Fetare e Kulturore nga Zyra e BE-së në Kosovë. Përmes një video mesazhi, pjesëmarrësve do të ju drejtohet edhe Alba Brojka, Përfaqësuese e Posaçme në Zyrën për Rini dhe Siguri në kuadrin e Kryesisë Sllovake të OSBE-së. /Telegrafi/

Të ngjashme