Mitiq thotë se ka marrëveshje për linjë ajrore, Gjonbalaj e mohon

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 15:22 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Bojan Mitiq, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për linjë ajrore. Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj.

Ky debat u zhvillua në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, raporton Ekonomia Online.

Mitiq tha se në bazë informacioneve të tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel për këtë çështje.

“Kemi hapjen e korridorit të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është arritur edhe në marrëveshjen e Brukselit ku domethënë është nënshkruar marrëveshja që Prishtina dhe Beogradi të kenë një linjë ajrore. A mund të na tregoni se pse ka ngecje në këtë proces”, ka deklaruar ai.

Pas kësaj deklarate reagim të menjëhershëm kishte kreu i komisionit Daut Haradinaj, duke kërkuar sqarime nga Gjonbalaj se “kush është duke gënjyer”.

“Drejtor, ne e paskemi një marrëveshje të cilën edhe e paskemi arritur në Bruksel, a mundeni me na treguar se kush po rren këtu?”, ka pyetur Haradinaj.

Por Gjonbalaj theksoi se ai nuk është dijeni për këtë marrëveshje, duke thënë se megjithatë ka një pajtim në parim, por që pa u hapur korridori ajror, i cili nënkupton njohjen paraprake të shteteve, nuk do të ketë fluturim ajror mes Kosovës dhe Beogradit.

“Serbia nuk ka asnjë lloj kompetence për hapësirën ajrore të Kosovës. Serbia është e vërtet se ka pasur përpjekje dhe ka kërkuar kontrollin ajror të Kosovës, por kjo temë asnjë herë nuk është trajtuar nga autoriteti i aviacionit civil, sepse është e pa mundur të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Gjonbalaj.

Në pyetjet e shumta që deputetet ishin të interesuar të dinin për Aviacionin Civil të Kosovës, u pyet edhe për kushtet e infrastrukturës ligjore dhe fizike.  Gjithashtu pyetje kishte edhe për sigurinë, nëse ka një zonë të sigurisë dhe çka ndodhë nëse ajo hapësirë ajrore e Kosovës shkelet.

Gjonbalaj u përgjigj për të gjitha duke theksuar se Kosova po përgatitet për të marrë kompetencat në navigimin ajror, për të cilin janë ndarë 35 milionë euro dhe se Autoriteti i Aviacionit Civil është agjenci e cila merret me certifikimin dhe licencimin e atyre që dëshirojnë dhe plotësojnë kushtet që të jenë pjesë e aviacionit civil.

Të ngjashme