Mjeku nga Gjakova që u bë drejtor i spitalit në New York

Prishtinë | 15 Sht 2016 | 20:57 | Nga

Vullneti e dëshira për studim dhe një jetë më të mirë bëri që Sulejman Çelaj nga Gjakova të niset për Rumani që të fillojë edukimin për mjekësi.

Në një rrëfim për “Rubikon” të KTV-së, mjeku, tashmë drejtor i spitalit St. Barnabar në New York, tregoi se nuk ishte e lehtë por në jetë siç thotë ai nëse mungon vullneti çdo gjë është e vështirë, transmeton Koha.net.

“Nuk ishte tipike në fund të shekullit të kaluar por duke u nisur nga komunitetet shqiptare në Rumani, ekzistojnë dokumentet se 500 vite më parë shqiptarët kanë emigruar në Rumani. E mbaj mend në vitin 1995 e kemi festuar 500 vjetorin e emigrimit të shqiptarëve në Rumani, të dokumentuar”, ka thënë Çelaj.

Ndonëse nuk ishte e lehtë për të që të studionte mjekësi në një gjuhë që ai nuk e njihte më parë, ai theksoi se shqiptarët kanë një aftësi që të mësojnë shpejtë gjuhët e huaja.

Çelaj rrëfen se si përfundoi studimet dhe shkoi që të punonte në New York, ku filloi të punonte aq sa të blinte librat e mjekësisë për të dhe vëllanë e tij.

“Fillimisht me punë të rëndomta sepse menjëherë si shkon nuk të njeh njeri. Interneti nuk ishte aq i përdorshëm atë kohë dhe me shkëmbim letrash me institucionet që bëjnë akreditimin e diplomave filluam të punojmë punë të rëndomta. Librat janë shumë shtrenjtë në Amerikë, fillimisht kam ble dy libra pasi aq ish paga javore, patologjinë dhe farmapologjinë për mua dhe vëllanë dhe filluam nga minusi jo nga e para”, ka thënë Çelaj.

Me seriozitet, vullnet e punë Çelaj theksoi se të gjithë mund të tejkalojnë në sfida e situata të tilla duke përmendur edhe shoqatën e mjekëve të cilën e ka hapur së bashku me kolegët e tjerë shqiptarë që veprojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Duke parë sfidat e vështirësitë që ne kemi hasur, kemi vendosur pas përfundimit të specializimi, të formojmë një shoqatë ku do të ndihmojmë kryesisht mjekët shqiptarë që të inkuadrohen sa më lehtë në fushën e mjekësisë në Amerikë”, përfundoi Çelaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme