Mjeku që detektoi rastet me Coronavirus në Aeroport thotë se u bënë “edhe mjekë edhe shoferë”

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Mjeku i Aeroportit të Prishtinës, që të hënën identifikoi dy raste të personave të infektuar me koronavirusin COVID-19, bashkë me një koleg të tij, është dashur ta luajnë edhe rolin e infermierit e edhe atë të shoferit, për t’i transportuar rastet për në Infektivë.

Kjo për shkakun se pjesëtarët e zjarrfikësve të Aeroportit, që ishin të autorizuar të bënin transportin me ndihmën e shpejtë, nuk posedonin pajisje adekuate për t’u mbrojtur nga virusi që ka krijuar pandemi.

Doktori Bashkim Gllareva, i cili e udhëheq Ambulanten e Aeroportit, në një postim në Facebook ka treguar se detektimin e dy rasteve në Aeroport e ka bërë në portën hyrëse bashkë me doktorin Emirjon Haxhiu, e me të cilin ka thënë të jetë bërë “mjekë, infermierë e shoferë!”.

Një burim i Kohës në Aeroport ka treguar se Gllareva e ka vozitur automjetin e ndihmës së shpejtë me të cilin janë bartur nga Aeroporti për në Klinikën Infektive në QKUK, dy kosovarët e kthyer nga Anglia, e të cilët kanë rezultuar pozitivë në COVID-19.

Gllareva e ka kualifikuar lajm të mirë identifikimin e dy të infektuarve, me të mbërritur në Kosovë, dhe një tjetër lajm të mirë ka thënë ta ketë mësuar gjatë ditës edhe për veten.

“Personalisht, COVID-19 negativ. Shumë i lumtur që do mund sonte t’i përqafoj fëmijët e mi dhe gruan pas 74 orë pune, e i mërzitur që prindërit nuk do mundem t’i shoh. Më i lumtur që do mund të japë kontribut për vendin tim”, ka shkruar ai. “Detektimi i dy rasteve në ANP, në portën hyrëse, bashkë me Dr. Emirjon Haxhiu, u bëmë mjekë, infermierë e shoferë”.

Edhe një ditë më parë, Gllareva ngriti shqetësimin për masat e sigurisë në Aeroport. Në një koment në Facebook, ai ka thënë se gjatë ditës, së paku 50 punëtorë kanë kërkuar maska dhe doreza, por se të njëjtat nuk ishin siguruar.

Gllareva ka reaguar në një postim të menaxherit të planifikimit të fluturimeve, Driton Hyseni, i cili kishte thënë se ka kërkuar nga kompanitë ajrore që për aq sa është e lejuar, të organizojnë kthimin e udhëtarëve në destinacionet e tyre.

“Sot së paku 50 punëtorë kanë kërkuar maska dhe doreza. Nëse njëri nga këta udhëtarë mund të jetë bartës i virusit, kush do të përgjigjet pastaj? Kompanitë fillimisht po i rrezikojnë punëtorët e pastaj edhe pasagjerët”, ka shkruar Gllareva, koment ky që i është fshirë më pas.

Të ngjashme