Mjeku zviceran: Përse shqiptarët po hezitojnë të vaksinohen

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Dr. Caduff kërkon nga e gjithë popullata zvicerane, veçanërisht nga shqiptarët, të vaksinohen, sepse kjo është mënyra e vetme për të kontrolluar pandeminë

Mbi 1.7 milion njerëz në Zvicër deri më tani janë vaksinuar kundër koronavirusit. Vaksinimi po vazhdon. Pavarësissht burimeve të besueshme të informacionit dhe mundësive të pafund për të ditur më shumë për vaksinimin, një numër pjesëtarësh të shoqërisë sonë hezitojnë të vaksinohen.

albinfo.ch ka biseduar me z. Basil Caduff, ish-kryemjek në Spitalin Limmattal, tani drejtues i qendrës së vaksinimit Dietikon, për të krijuar qartësi lidhur me këtë. Ai përmbledh të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me vaksinat e ndryshme dhe kërkon nga e gjithë popullata zvicerane, veçanërisht nga shqiptarët, të vaksinohen, sepse kjo është mënyra e vetme për të kontrolluar pandeminë.

albinfo.ch: Ju jeni mjeku kryesor këtu në Qendrën e Vaksinimit Dietikon, e cila menaxhohet nga Spitali Limmattal. Është e saktë?

Dr. Caduff: Spitali Limmattal është një partner i yni, por koncepti ka ardhur nga qyteti i Dietikonit. Ata donin të hapnin një qendër vaksinimi e cila funksionon nën mbikëqyrjen mjekësore të një spitali. Falë pozicionit tim të dikurshëm si kryemjek në Spitalin Limmattal, tani më lejohet të menaxhoj këtë qendër vaksinimi.

albinfo.ch: Nga ka ardhur vendimi për të hapur një qendër vaksinimi në Dietikon?

Dr. Caduff: Qyteti i Dietikonit ka marrë iniciativën, së bashku me shefin e departamentit të sigurisë dhe shëndetit, Heinz Illi, i cili është gjithashtu pjesë e ekzekutivit të qytetit. Z. Illi pastaj i është drejtuar Spitalit Limmattal për t’i kërkuar mbështetje mjekësore.

albinfo.ch: Çfarë vaksine jepni këtu në qendrën e vaksinimit?

Dr. Caduff: Për momentin ne japim vetëm vaksinën nga Pfizer Biontech. Nga 5 maji po llogarisim gjithashtu të furnizohemi me vaksinën “Moderna”. Atëherë ndoshta mund të ndodhë një ndryshim.

albinfo.ch: Përse do të kalohet në Moderna?

Dr. Caduff: Kjo varet nga kapaciteti furnizues me vaksina. Nëse Qeveria Federale merr një kontingjent më të madh, ne mund të kalojmë plotësisht në Moderna. Moderna po ashtu është më e thjeshtë për tu ruajtur sepse për të nuk nevojiten temperatura shumë të ulëta të hapësirës ku ajo ruhet (ndrfyshe nga Pfizer-Biontech). Ndryshe, këto dy vaksina janë shumë të ngjashme.

albinfo.ch: Swissmedic është gjithmonë përgjegjës për aktualizimin e efekteve anësore. Çfarë efektesh anësore keni regjistruar deri tani nga njerëzit e vaksinuar?

Dr. Caduff: Thënë në vija të trasha ndodhin të njëjtat efekte anësore sikur me vaksinimin konvencional të gripit, vetëm se ato mund të jenë pak më të theksuara me vaksinimin e koronës. Efektet më të zakonshme deri më tani janë, për shembull, ethe të buta, “rëndim krahu” (tek krahu në të cilin është bërë vaksinimi) dhe plogështi. Sipas përvojës sime, shpeshtësia e efekteve anësore është paksa në kundërshtim me studimet. Personalisht, edhe unë jam vaksinuar dhe kam bërë gjashtë orë ecje malore dy ditë pas dozës së dytë (qeshet).

Deri më tani, njihen vetëm mbi 1200 raste në të gjithë Zvicrën, në të cilat efektet anësore ishin më serioze sesa ato që u përmendën. Pas injektimit të vaksinës Astrazeneca, e cila nuk është aprovuar ende në Zvicër, janë dokumentuar tashmë tromboza të trurit. Për këtë arsye, Atrazeneca nuk është aprovuar në disa vende.

albinfo.ch: Si përfundim: më mirë të vaksinohesh sesa të infektohesh me Covid?

Dr. Caduff: Pikërisht. Mundësia e pësimit të trombozës për shkak të vaksinimit nuk është e krahasueshme me rrezikun e sëmurjes nga korona, e cila gjithashtu mund të shkaktojë trombozë. Në rastin e një rrjedhe të rëndë të infeksionit me Covid, tromboza të tilla mund të ndodhin gjithashtu në tru, si dhe në zemër dhe organe të tjera. Nëse krahasohen faktorët Për me ata Kundër vaksinimit, atëherë ka shumë më tepër argumente në favor të vaksinimit.

albinfo.ch: Nga vjen frika nga vaksinimi kundër koronës?

Dr. Caduff: Teprica e informacioneve patjetër që luan një rol të madh. Edhe ekspertë të vetëquajtur, të cilët gjithmonë përfaqësojnë mendime kontradiktore, gjithashtu kontribuojnë shumë. Ajo që dëgjoj shpesh është frika se vaksina do të sulmojë dhe ndryshojë gjenomin njerëzor dhe t’ia transmetojë këtë brezave të ardhshëm, gjë që është absolutisht e pavërtetë.

albinfo.ch: A e klasifikoni këtë si frikë irracionale apo kjo tashmë hyn në sferën e teorive të konspiracionit?

Dr. Caduff: Unë nuk mendoj se bëhet fjalë për teori konspirative, por kemi të bëjmë vetëm me një produkt të keqinformimit. Por unë mund ta marr shumë mirë me mend që mund të jetë e frikshme kur të lexoni se acidi ribonukleik “mARN”, që përdoret për t’u injektuar, dhe i cili përmban informacionin gjenetik për ndërtimin e një proteine ​​që supozohet se ndërton antitrupat kundër virusit. Por, nëse e kuptoni se çfarë bën vaksina dhe si funksionon, kjo nuk duhet të paraqesë ndonjë problem.

Të ngjashme