MMPH dhe Universiteti i Pejës me marrëveshje për integrimin e studentëve

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 15:25 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në dhjetë fusha të ndryshme me Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, universitet ky që i ka mbi 11 mijë studentë.

U.d. ministri Shala tha se menaxhimi lumenjve dhe ujërave të zeza janë prioritet i kësaj ane dhe vendeve të tjera në Kosovë, andaj kjo edhe kërkon ekspertë të fushave të ndryshme.

“Qeveria së bashku me ministrinë tonë jemi duke punuar në projekte për rregullimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e tyre. E gjithë kjo punë kërkon ekspert të fushave të ndryshme. Ne nuk mund të lejojmë që ky universitet të mos jetë afër projekteve, sepse afërsia mundëson që studentët të jenë përfitues të punëve të cilat ofrohen, në këtë mënyrë përfitojnë edhe përvojë, por edhe mundësi punësimi”, tha Shala gjatë këtij takimi, të pranishëm ku ishin edhe pjesa menaxhuese e Universitetit “Haxhi Zeka”.

Rektori i këtij universiteti publik, Fadil Mullaku, falënderoi u.d ministrin Shala dhe tha që ky bashkëpunim ka qenë i nevojshëm për këtë universitet, duke shtuar që bashkëpunimet me institucionet shtetërore është gjithmonë i nevojshëm edhe për studentët, të cilët duan të shohin edhe praktikën e teorisë të cilën e marrin gjatë studimeve.

“Ne si universitet i kemi dy dikastere që mund të kyçen drejtpërdrejt me ministrinë e juaj: Kemi dikasterin e Turizmit dhe drejtimi master që merret me Mbrojtje të Mjedisit. Gjithashtu kemi edhe resurse të tjera nga Fakulteti i Biznesit dhe resurse të tjera humane të cilat mund të kyçen në projekte të tjera të cilat do të ndikonin që regjioni i Pejës të jetë i karakterizuar me turizëm dhe ambient, duke përfshirë këtu edhe lumenjtë siç është Lumbardhi i Pejës. Kjo mundëson edhe ardhjen e shumë vizitorëve që i kemi në këto anë”, tha Millaku.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në ambientet e rektoratit të “Haxhi Zekës”, në Pejë.

Marrëveshja e bashkëpunimit ka të bëjë: Në bashkëpunimin në zhvillimin e moduleve dhe programeve mësimore në nivelin bachelor dhe master; realizimit të punës praktike për studentët në këto module dhe programe; realizimit të temave të diplomës me interes të përbashkët; shkëmbimit të përvojave praktike, ekspertëve të literaturës përkatëse për zhvillim institucional me qëllim të avancimit të politikave në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor; organizimin e përbashkët të ngjarjeve të rëndësishme sikurse janë konferencat, trajnimet dhe projektet; hartimin e programeve hulumtuese dhe kërkimore në të mirë të dy palëve; Përcaktimin e prioriteteve të punës sipas nevojave dhe kërkesave të të dy institucioneve; organizimin e përbashkët të veprimtarive  profesionale; ndikimin dhe studimin e nevojave të tregut të punës dhe mbështetjen teknike dhe organizative të të dy palëve.

Të ngjashme