MMPH-ja gjatë këtij viti realizoi 90 projekte kapitale në vlerë 30 milionë euro

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 13:57 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka mbajtur konferencën e fundvitit ku ka shpalosur sukseset, sfidat dhe projektet gjatë vitit 2018-të. Ai ka shpalosur edhe planet për vitin 2019-të, raporton Ekonomia Online.

Matoshi tha se angazhimi i MMPH-së do të vazhdojë me investime kapitale. Ai përmendi edhe shumë projekte të tjera që janë në plan në vitin që po hyjmë. Matoshi nuk la pa falënderuar edhe mediet që sipas tij kanë luajtur rol të rëndësishëm në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.

“Ju padyshim keni qenë aleatë tanë më të fuqishëm gjatë gjithë vitit në përgjithësi. Mediet kanë luajtur rol edhe në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Angazhimi jonë do vazhdojë me investime kapitale. Fokus do ti kushtojmë zonave të mbrojtura, krijimit të rezervave ujore, trajtimit të ndërtimeve pa leje, reduktimin e ndotjes së ajrit, në fushën e trajtimit të ujërave të zeza që janë pikë e zezë për vendin tonë. Besoj se do kemi progres të madh në këtë drejtim në vitin 2019. Do fillojmë me impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë, vazhdojë me Pejën, Prizrenin, Gjakovën dhe do të kemi dhe hapa të tjerë progresivë në rajonin e Ferizajt”, ka thënë Matoshi.

Aty u prezantua edhe puna e MMPH-së përmes një video të shkurtër, ndër të tjerash u paraqit se janë realizuar 90 projekte kapitale në vlerë 30 milionë euro.

Ai është pyetur se çfarë konkretisht do të bëjnë për ndotjen e ajrit, për përmirësimin e gjendjes jo të mirë që është tani.

Ministri ka përmendur mospërdorimin e thëngjillit në institucionet arsimore si dhe vendimin për ndlaimin e faljes së thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.

“Është viti parë që kemi filluar të marrim veprime konkrete me disa vendime të marra.  Vendimi parë është task forca për të mos përdorë thëngjill në institucione arsimore dhe vendimi i dytë është ndalimi i faljes së thëngjillit për punëtoret e KEK-ut. Vendim tjetër është ndalimi tek institucionet publike, konfiskimi i thëngjillit tek shitësit etj. Do ketë edhe veprime të tjera”, tha Matoshi, raporton EO.

Të ngjashme