MMPH-ja investon rreth 200 mijë euro për terrenet sportive në dy shkolla të Kamenicës

Kamenicë | 20 Dhj 2019 | 13:02 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dy shkolla të mesme të Kamenicës “Ismail Qemaili” dhe “Andrea Durrsaku” janë bërë me kompleks sportiv, raporton Ekonomia Online.

Përurimin e këtyre terreneve sportive e bëri ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH), Fatmir Matoshi derisa kostoja e këtij projekti kap shifrën rreth 200 mijë euro që është investim i MMPH-së.

Ministri Matoshi tha se në kuadër të investimeve që po i bënë dikasteri që ai e udhëheq, bënë pjesë edhe kompleksi sportiv.

Ai tha se këto hapësira kanë qenë të ndërtuara në vitet 80-ta dhe pastaj janë dëmtuar shumë që ka qenë një nevojë e patjetërsueshme e të rinjve të këtij qyteti rindërtimi i tyre.

“Në kuadër të disa projekteve gjatë këtij viti që i kemi bërë në qytetin e Kamenicës në mënyrë simbolike kemi përuruar kompleksin sportiv të shkollave të mesme në këtë qytet. Është një kompleks sportiv që ka qenë i ndërtuar në vitet 80-ta dhe pastaj shumë i dëmtuar dhe një nevojë e patjetërsueshme e të rinjve të këtij qyteti. Teknikisht ende nuk e kemi pranuar këtë projekt, ka ende punë për tu bërë, por pasi ne jemi në Kamenicë dhe jemi duke filluar disa projekte tjera, simbolikisht sot e përuruam së bashku me dy drejtorët, profesorët e nxënësit e këtyre shkollave”, tha Matoshi për Ekonomia Online.

Drejtori i Gjimnazit “Ismail Qemaili”, Selami Rexhepi, tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë ngase tani janë krijuar ambiente mjfatë të mirë si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle.

“Projekti është i një rëndësie të veçantë, ngase siç po e shihni edhe vet janë krijuar ambiente mjaft të mira për gjithë mësimdhënësit dhe fëmijët”, tha Rexhepi.

Drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Andrea Durrsaku”, Qamil Qehaja, tha se ky projekt është i qëlluar për gjithë sportin në Kamenicë.

“Projekti është shumë i qëlluar jo vetëm për shkollën, por për gjithë sportin e Kamenicës. Janë krijuar kushte shumë të mira për gjitha llojet e sporteve ku është krijuar një ambient shumë i mirë”, tha ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme