Mbahet tryezë me komunat e rajonit të Prizrenit për rezultatet e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 12:28 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”sot është mbajtur tryeza e radhës me komunat e rajonit të Prizrenit, me qëllim të diskutimit të të arriturave të komunave në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator e deri më tani.

Aty u diskutua për të arritur që shënuan Komuna e Prizrenit, Suharekës dhe Malishevës, me largimin e dhjetëra deponive ilegale të mbeturinave, caktimin e lokacioneve për mbetje interte, si dhe mbjelljen e qindra fidanëve. Po ashtu, përfaqësues të task forcave lokale njoftuan se inspektorët tashmë kanë filluar edhe me shpërndarjen e gjobave për ndotësit, raporton Ekonomia Online.

Gjatë këtij diskutimi , drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj ka thënë se institucionet e kanë rritur efikasitetin e tyre të veprimit si dhe marrjes së përgjegjësisë karshi problemeve mjedisore gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, por që vazhdon me qenë problem mirëmbajtja e brezave rrugor, për shkak të qytetarëve të papërgjegjshëm, të cilët hedhin mbeturinat nga veturat e tyre, si dhe kompanive të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve regjionale dhe magjistrale.

“Sot do flasim për sfidat dhe problemet në Komunën e Prizrenit, qëllimi kryesor i fushatës sonë ka qenë të bëhet një lëvizje globale. Për këta 3 muaj komunat kanë organizuar shumë aktivitete. Krahas organizimit të aksioneve që e kanë përcjellë fushatën është rritur vetëdija për mbrojtjen e ambientit .Përmes këtyre tryezave po nxjerrim rekomandime të mëdha si organizatë. Ne e dimë që të gjitha komunat janë aktive në këtë pikë por përderisa po vijmë në Prizren po shohim prapë mbeturina tek brezi i rrugës dhe duhet prapë të angazhohemi”, ka thënë Hasanaj, raporton EO.

E, Halit Guqa, përfaqësues i komunës së Suharekës tha se komuna ka ndarë një sasi të mjeteve për eliminimin e deponive ilegale.

“Kemi pas disa aksione ku kryetari ka angazhuar të gjithë për pastrimin e ambientit. Tash në këtë fazë komuna ndanë një sasi të mjeteve për eliminimin e deponive ilegale. Në mungesë të një deponie të tillë edhe ne si institucion e kemi pas më vështirë. Sfidë tek deponia mbetet ende puna e mirëmbajtjes pasi që ende nuk kemi kontraktuar ndonjë kompani të na kryejë këtë punë. Tek ne është një bashkëpunim shumë i mirë mes institucioneve.

Ai tha se komuna e Suharekës gjatë këtij viti ka dhënë 33 gjoba për çështje ambientale derisa ka njoftuar se tani po bëhet edhe vendosja e tabelave për ndalimin e hedhjes së mbeturinave.

Fadil Shala, udhëheqës i Shërbimit Publik, në komunën e Malishevës tha se sfidë për komunën e tyre mbete çështja e mbeturinave inerte.

Shala tha se ata kanë arritur edhe ndarjen e disa gjobave për hedhjet e mbeturinave në Komunën e tyre.

“Si institucion komunal kemi nda çdo vit mjete për largimin e mbeturinave. Sfidë për neve mbetet çështja e mbeturinave inerte ku kemi një deponi të tillë. Kemi raste që i kemi proceduar në gjykatë për hedhjen e mbeturinave madje shpesh kemi nda edhe gjoba”, tha Shala.

Naser Morina po ashtu nga komuna e Malishevës, tha se komuna e tyre kanë pasur mbi 200 vullnetarë për pastrimin e kësaj komune.

Morina bëri të ditur se në këtë komunë së shpejti do filloj mbjellja e drunjve dekorativ.

“Edhe ne si komunë kemi punuar drejtë këtij aspekti. Në komunën tonë kanë qenë më shumë se 200 vullnetarë lidhur me aksionin. Më pastaj kemi vazhduar me aksione vullnetare në shkolla, pastrimin e përroskave, pastrimin tek ujëvara e Mirushës. Kemi bërë një plan për mbjelljen e drunjve dekorativ”, tha Morina, raporton EO.

Ndërsa Gali Belallari, zyrtar nga Komuna e Prizrenit tha se mbi 60% e deponive ilegale në komunën e tyre janë eliminuar, madje tha se komuna e tyre 2 herë në vit bënë grumbullimit e mbeturinave vëllimore pa pagesë.

“Ne kemi filluar angazhimin për eliminimin e deponive ilegale. Mbi 60 % të këtyre deponive janë të eliminuara. Kemi deponi ilegale të inerteve. Karakteri i fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, është sensibilizues. Ne punojmë me grupe ekologjike ku çdo vit i marrim nga 3 shkolla mostrat. Ne dy herë në vit bëjmë mbledhjen e mbeturinave të vëllimshme pa pagesë. Edhe ne do bëjmë mbjelljen e drunjve dekorativ”, ka thënë Belallari.

Besnik Kokollari nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se një pjesë e pastrimit të lumenjve në gjithë Kosovën do jenë pjesë e planit buxhetor të kësaj ministrie.

Si sfidë e këtij aksioni në kuadër të MMPH-së, Kokollari tha se mbetet shtrirja e shërbimeve në komuna.

“Në emër të ministrit në vazhdimësi kjo fushatë ka pas përkrahjen tonë që brenda ministrisë ky aktivitet të shkojë si duhet. Ky aktivitet i ka tejkaluar objektivat që ne i kemi pas si ministri. U përmendën disa lumenj ku mblidhen mbeturinat,  ne si MMPH një pjesë të lumenjve i kemi futë në planifikim buxhetor. Sfida kryesore është tek komunat, që të bëjnë sa më shumë shtrirjen e shërbimeve. Unë sot kërkoj që të kemi me numra të matshëm të dimë sa kemi shtrirje të shërbimit për menaxhimin e mbeturinave”, ka thënë Kokollari.

 

 

Të ngjashme