MMPH-ja ndan 1.2 milion euro për komunat më të suksesshme në eliminimin e mbeturinave

Mitrovicë | 15 Nën 2018 | 12:00 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka organizuar sot takim me komunat e rajonit të Mitrovicës, për t’u informuar me të arriturat dhe ngecjet në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka nisur më 15 shtator.

Në këtë diskutim që u mbajt në Vllahi të Mitrovicës të pranishëm ishin udhëheqësit e Task Forcave lokale, të komunave të rajonit të Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri e Skenderaj) dhe koordinatori i Task Forcës teknike nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Besmir Kokollari.

Luan Hasanaj, nga organizata “Let’s Do It Kosova” u kërkoi të pranishmëve që të tregojnë ku ka pasur ngecje deri më tash në aksionin e pastrimit.

Hasanaj thënë se asnjëherë nuk ka pasur vullnet më të madh politik se sa tash për ta mbështetur pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit.

“Gjithmonë ka hapësirë me u bë më mirë. Neve na intereson ta shohim ku kanë qenë ato problemet kryesore që nuk kemi mund t’i arrijmë ato rezultate që kemi dashtë. Është krijuar një momentum që deri më tani s’ka qenë, është krijuar një efekt që deri më tani nuk ka qenë dhe është rasti që ta shfrytëzojmë dhe ta mbajmë këtë dinamikë, këtë fushatë, që komunat dhe institucionet të vazhdojnë në këtë trend për ta mbrojtur mjedisin”, ka thënë Hasanaj, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se disa nga kompanitë publike të mbledhjes së mbeturinave, si “Uniteti”, nuk i kanë punët mirë. “Ne kemi shpërndarë konteinierë; janë diku 500 konteinierë dhe shporta”, ka thënë Hasanaj.

Besmir Kokollari, kryesues i Task Forcës Teknike nga MMPH-ja për fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, përsëriti përkrahje e ministrisë.

Ai ka thënë se do të ndahet një fond për komunat që tregohen më të suksesshme në pastrim të zonave të tyre. Po ashtu kërkoi që deri në përfundim të aksionit, të ofrohet shërbimi për mbledhjen e mbeturinave, pasi sipas tij gjendja e mjedisit do të kthehet si para 15 shtatorit.

“Si informatë për të gjitha komunat, MMPH-ja në këtë iniciativë për t’i mbështetur, kemi ndarë fond prej 1.2 milionë euro për komunat që tregohen më të suksesshme në eliminimin e mbeturinave. Në shumë komuna shtrirja nuk është në të gjitha zonat, komunat të bëjnë zgjidhje deri në përfundim të kësaj fushate, të ofrojnë shërbimin për mbledhjen e mbeturinave përndryshe do kemi situatë të njëjtë sikur përpara 15 shtatorit”, ka thënë Kokollari.

Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se pengesë në realizimin e aksionit janë mbetjet industriale. Ai tha se nevojitet makineri më e rëndë për eliminimin e tyre.

“Duke e mbrojtur ambientin, rrethin ku jetojmë, tregojmë më së miri dashurinë për shtetin tonë. Fatkeqësisht shembujt e deritanishëm na kanë tregu se vetëm deklarativisht e kemi pasur këtë dashuri. Shpresoj që këtë dashuri ta kalojmë edhe në praktikë. Për ne në Mitrovicë është shumë me rëndësi ky aksion sepse është një inicim i vazhdimit të punës edhe të Drejtorisë së Ambientit dhe Inspeksionit. Mitrovica ka shumë punë, përveç deponive të përditshme, kemi mbetjet industriale që nuk mund të realizohet me aksione të tilla por nevojitet implikim më i madh”, ka thënë Mujka, raporton EO.

Asllan Isufi, koordinator i Task Forcës në Mitrovicë, ka thënë se Mitrovica e ka shtrirë aktivitetin edhe në zonat më të largëta, teksa ka treguar se tashmë janë vendosur edhe konteinierë në zona, si në Tunel të Parë.

Ai ka thënë se kompanitë janë duke e pasur problem bartjen e konteinierëve dhe heqjen e mbetjeve inerte, për të cilat ai kërkoi ndihmë.

“Kompania është në një krizë për shkak se makineritë që e bënë bartjen e këtyre konteinierëve është e prishur. Por shumë shpejt do të riparohen. Ne e kemi identifikuar numrin e saktë të deponive ilegale. Një pjesë të tyre kemi arrite t’i pastrojmë me forcat tona”, ka thënë ai.

Xhevat Dervishi, koordinator i fushatës në Skenderaj, tha se do të vazhdojnë aksionin e pastrimit edhe pas 15 dhjetorit, ndërsa përmendi se kompanitë e pastrimit po kanë vështirësi në eliminimin e të gjitha deponive. Sipas tij, 30 deponi nga 65 sa kanë qenë tashmë janë larguar.

“Fillimisht janë identifikuar problemet dhe deponitë ilegale. Janë identifikuar rreth 65 deponi me material inert. Aktiviteti më 15 shtator, edhe në Skenderaj është mbajtur sikur në komunat tjera, rreth 4300 vullnetarë kanë larguar një numër të madh të mbeturinave familjare dhe dy deponi të egra”, ka thënë Dervishi.

Bajrush Kosumi, koordinator i Task Forcës për Vushtrri, ka thënë se policia ka filluar me gjobat mandatore, derisa e ka quajtur fakt të mirë që qytetarët e Vushtrrisë kanë filluar të lajmërojnë për vendndodhjen e deponive.

“Kemi dalë në terren dhe me grupin që e kemi. Kemi identifikuar deponitë dhe në bazë të saj e kemi bërë planin e veprimit. Është një vullnet shumë i mirë i udhëheqësve të Vushtrrisë dhe kemi ndarë disa vende për mbetje inerte”, është shprehur ai.

Mentor Merovci, koordinator lokal në Vushtrri, ka prezantuar raportin e kësaj komune mbi rezultatet e aksionit të pastrimit dhe ka thënë se nuk do të ndalen, pavarësisht se fushata zyrtarisht përfundon më 15 dhjetor. Ai ka treguar se nga 25 deponi të mëdha janë eliminuar 11.

Organizata “Let’s Do It Kosova”, e cila udhëheq fushatën më të madhe të pastrimit, në bashkëpunim me MMPH-në, dje ka prezantuar rezultate e fushatës së deritanishme në komunat e rajonit të Prishtinës.

Image may contain: 1 person

Image may contain: 2 people, people sitting, table and indoor

Image may contain: 3 people, people sitting, table and indoor

Image may contain: 2 people, suit

Të ngjashme